

Zlatan Ibrahimovic nuk është tipi që i mban fjalët për vete, e ka treguar këtë edhe gjatë konferencës për prezantimin e Joao Felix si lojtar i Milanit. Si një nga drejtuesit e klubit dhe super-konsulent i “RedBird”, ai ka kërkuar publikisht respekt për ekipin kuqezi, veçanërisht pas episodeve të diskutueshme arbitrale gjatë ndeshjes të së shtunës kundër Empolit, e cila u fitua nga Milani me rezultatin 2-0.
Ibrahimovic tha: "Iu kërkoj gjithmonë lojtarëve të jenë të sjellshëm me arbitrin. Në fund të pjesës së parë i kërkova arbitrit respekt për lojtarët e Milanit. Jam i habitur që lojtarët e mi nuk reaguan më fort pas episodit me Walker, një situatë jashtë kontrollit. Nëse ai kishte pasur fat të keq, mund të kishte humbur një vit pa luajtur.
Nuk dua të jem dramatik, por arbitri më tha që ndoshta ishte për karton të verdhë. Nuk më intereson nëse është i verdhë apo i kuq, më intereson kontrolli i lojës dhe ai episod ishte vërtet i rrezikshëm. Ishte jashtë standardeve të futbollit që të gjithë e duam.
Situata me Tomorin pastaj është pasojë e VAR-it, që lejon lojën të vazhdojë, duke mos e ndalur kur duhet. Tomori mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua, por në fakt kishte një pozicion jashtë loje më parë.
Kjo për ne nuk është e pranueshme dhe do t’i dërgojmë një letër AIA-s. Kjo nuk është e pranueshme. Janë dy situata shumë serioze për ne, me pasoja në ndeshje. Nuk është e lehtë të luash me një lojtar më pak, kur në fakt ata duhet të kishin qenë me një më pak…
E kuptoj Walker, që vjen nga Premier League, dhe nuk bën ‘shfaqje’, por nuk duhet të bëjë veprime teatrale për të provokuar një reagim nga arbitri. Arbitri duhet të ndjekë instinktin e tij, por mbi të gjitha të bëjë gjënë e duhur. Duhet respekt për Milanin. Nuk dua të jem kritik ndaj arbitrit, por nuk është hera e parë që ndodh dhe kërkoj vetëm një gjë: respekt për Milanin dhe lojtarët tanë".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





