Transmetuar më 10-02-2025, 11:50

Kryetari i fushatës triumfuese të Donald Trump, Chris LaCivita tha se Berisha sipas tij është një mik i vërtetë i SHBA duke theksuar se "ne e dimë se ai do të zgjidhet kryeministër", kurse denoncoi se "Rama është një kukull e Xhorxh Sorosit"

Tiranë, 10 Shkurt 2025 / noa.al – Kryetari i fushatës triumfuese të Donald Trump, Chris LaCivita është emëruar kryetar i fushatës së Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.

Lajmi u bë publik sot në një konferencë të posaçme për shtyp që monitoroi noa.al.

Udhëheqësi i fushatës së Trump, Chris LaCivita doli para gazetarëve dhe foli me tone të ashpra ndaj Ramës dhe deklaroi se do të punonte fort që të rikthejë Berishën në pushtet.

Ndërsa tha se Berisha sipas tij është një mik i vërtetë i SHBA dhe theksoi se "ne e dimë se ai do të zgjidhet kryeministër", LaCivita denoncoi se "Rama është një kukull e Xhorxh Sorosit.

Berisha prezanton amerikanin

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha ka njoftuar ditën e sotme në një konferencë të rëndësishme për media se Chris LaCivita, kryearkitekti i fushatës së triumfit të Donald Trump, do të drejtojë fushatën e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.Berisha ka theksuar arritjet e LaCivita në fushatën e Trump, duke përmendur sfidat e mëdha me propaganda, manipulim dhe censurë mediatike, por gjithashtu edhe fitoren spektakolare që arriti Trump.

Kryedemokrati shprehu nderimin dhe kënaqësinë që LaCivita është pjesë e ekipit që do të udhëheqë fushatën për fitoren e PD-së në zgjedhjet e ardhshme.

Lideri opozitar theksoi lidhjen mes PD-së dhe vlerave konservatore, duke përshkruar bashkëpunimin e Chris LaCivita me PD-në si një zgjedhje të natyrshme për shkak të mbrojtjes së këtyre vlerave. Berisha tha se, pavarësisht presioneve të jashtëzakonshme nga e majta radikale dhe ndikimeve të Xhorxh Sorosit, PD dhe opozita shqiptare qëndruan të pamposhtura në mbrojtjen e parimeve konservatore dhe pluralizmit politik.

Berisha ka akuzuar atë që e cilësoi regjimin e tanishëm të Edi Ramës, duke për përdorimin e drejtësisë si një armë për të shuar opozitën dhe për të mundësuar instalimin e një regjimi të bazuar në korrupsion dhe krim.

Berisha tha se, përkundër këtyre presioneve, PD dhe opozita kanë mbështetur Partinë Republikane në fushatën e fundit të Trump, duke e konsideruar atë një fitore të rëndësishme jo vetëm për SHBA, por edhe për botën.

Kryetari i PD, gjithashtu tha se PD mbështet vlerat konservatore të shpallura nga Chris LaCivita dhe është optimist për programin që do të shpëtojë Shqipërinë, duke përmendur fitoren e Trump si një mrekulli që ka ndikim global.

Berisha shtoi se ky është vetëm fillimi i një fushate që do të kthejë Shqipërinë në një rrugë më të ndritur, të mbështetur në shpresë, të ardhme, ligj dhe zhvillim.

Deklarata e plotë e LaCivita:

"Opozitë e Bashkuar, ne jemi sot këtu sepse dëshirojmë të zgjedhim një kryeministër që është një mik i vërtetë i SHBA, i cili do të punojë në mënyrë të suksesshme me presidentin Trump dhe me SHBA.

Kryeministri aktual nuk është asgjë më tepër se një kukull e Xhorxh Sorros, nuk mund të mbetesh kukull e Soros.

Nuk mund të jesh edhe kukull e Soros dhe mik i SHBA-ve, kjo nuk është e mundur.

Familja e Sorosit ka humbur ndikimin e vet në Uashington dhe në mbarë botën dhe Berisha është një i vjetër dhe i vërtetë i SHBA-së.

Shumë në Amerikë, në media dhe partitë e të Majtës, kanë thënë se Donald Trump nuk mund të fitonte, por ai fitoi.

Pavarësisht sulmeve nga administrata Biden, populli Amerikan donte më shumë nga qeveria e vet.

Njësoj si populli Amerikan edhe ai shqiptar, kërkon dhe ka nevojë për më shumë nga qeveria e vet.

Këto rrethana të ngjashme, janë ato që na bashkuan, na sollën sot ne këtu, se ne e dimë që Berisha mund të fitojë.

Berisha njësoj si Donald Trump dhe si shumë anëtarë të opozitës, në mënyrë të padrejtë janë ndjekur penalisht dhe janë persekutuar nga një qeveri e cila nuk respekton demokracinë.

Aleatët e tij dhe udhëheqësit e opozitës, po futen në burg, po mbahen në arrest shtëpie dhe po frikësohen. Ne jemi këtu për të ndihmuar që ti japim fund kësaj.

Çështjet për të cilat shqetësohen shqiptarët, po ato çështje që shqetësohen amerikanët, sikurse është siguria personale, puna, ekonomia, dhe duan që fëmijët e tyre, të kenë mundësi të rriten dhe të zhvillojnë familjet e tyre, brenda vendit dhe jo jashtë.

Ç’është më e rëndësishme ne kemi nevojë për zgjedhje të lira dhe të drejta, të mos ketë ndikime të qeverisë, të krimit të organizuar, zgjedhje të drejta, zgjedhje transparente që janë thelbësore në një demokraci. Dhe në një demokraci që lulëzon dhe në një miqësi të vërtetë me Amerikën, ne mund ti kthejmë Shqipërisë madhështinë."

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit