Transmetuar më 10-02-2025, 14:10

E FUNDIT: Ja pse u arrestua Erion Veliaj, SPAK publikon detajet e plota dhe personat që përfshihen

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar pak më parë me urdhër të SPAK.

Arrestimi u bë në zyrën e Veliajt në bashkinë e Tiranës.

Ishin agjentët e BKH që mbërritën në ambientet e bashkisë Tiranë dhe i komunikuan masën e sigurisë kryebashkiakut.

Më pas Veliaj u shoqërua drejt Bllokut të Sigurisë, 302, në rrugën “Mine Peza” siç shihni këtë foto që ju sjell noa.al.

Ndalimi erdhi pasi GJKKO ka vendosur masë sigurie arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, me kërkesë të SPAK.

Ai po hetohet për disa akuza, si shpërdorim detyre, korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim parash.

Veliaj akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Sakaq, biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Hetimet ndaj Veliajt drejtohen nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado. Ato janë ngritur mbi dyshime të arsyeshme se kryebashkiaku ka konsumuar elementë të veprës penale, duke përfituar në mënyrë të tërthortë përmes bizneseve të lidhura me familjarët e tij dhe biznesmenin Elman Abule.

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe ka ushtruar kontroll në ambientet e qendrës “Harabel” dhe të “Nan Gallery”, të themeluara prej saj.

Arrestimi erdhi disa javë pasi zyrtarë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kishin kryer disa herë kontrolle në ambientet e banesës së tij si dhe të biznesit të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa.

Burime pranë SPAK konfirmojnë se prokurorët e posaçëm kanë kërkuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) masën e sigurisë "arrest me burg" për Veliajn.

Ndërkohë, pritet një njoftim zyrtar nga SPAK mbi akuzat dhe hapat e mëtejshëm të hetimit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit