Transmetuar më 10-02-2025, 12:48

Presidenti i Sevilla, José María del Nido Carrasco, sulmoi ashpër Real Madridin të dielën, duke e akuzuar se “po përpiqet të shkatërrojë futbollin spanjoll” me ankesat për vendimet e arbitrave.

Real Madridi paraqiti një ankesë zyrtare për gjykimin në humbjen e tij 1-0 në La Liga kundër Espanyolit, më 1 shkurt, duke kërkuar nga Federata Spanjolle e Futbollit të publikojë audio-regjistrimet e bisedave midis arbitrit në fushë dhe VAR-it në dy raste kyçe, përfshirë vendimin për të mos ndëshkuar me karton të kuq mbrojtësin Carlos Romero, i cili më pas shënoi golin e fitores, për një faull ndaj Kylian Mbappé.

Letra e hapur e Real Madridit e quajti sistemin e arbitrimit në Spanjë “tërësisht të diskredituar”, duke thënë se vendimet kundër tyre përfaqësojnë “manipulim dhe falsifikim të garës”, gjuhë që u refuzua nga klubet e tjera në një takim me La Liga-n dhe federatën të enjten.

“Duhet të dallojmë dy gjëra: mundësinë për të modifikuar sistemin e arbitrimit dhe disa aspekte të tij, dhe deklaratën e Real Madridit, – tha Del Nido Carrasco, duke folur për DAZN përpara humbjes 4-1 të Sevilla ndaj Barcelonës, të dielën. – Është e patolerueshme dhe e papranueshme. Kjo vë në dyshim nderin e arbitrave dhe të gjithë garës. Bota e futbollit duhet ta denoncojë publikisht dhe ligjërisht një deklaratë të tillë, që shkon kundër integritetit të futbollit”.

Real Madridi i ka kritikuar shpeshherë vendimet e arbitrave përmes kanalit të vet televiziv, përfshirë edhe barazimin e së shtunës ndaj Atlético Madridit në “Bernabéu”, ku miqve iu akordua një penallti në pjesën e pare, pas rishikimit me VAR të faullit të Aurélien Tchouaméni ndaj Samuel Lino.

“Më e keqja nga të gjitha është se Real Madridi po përpiqet të shkatërrojë futbollin spanjoll. Po e bën këtë përmes Real Madrid TV dhe në mënyra të tjera, –  shtoi Del Nido Carrasco. – Nuk mund të tolerojmë që një klub si Real Madridi të përpiqet të na shkatërrojë të gjithëve…

Para së gjithash, ne iu japim mbështetje të pakushtëzuar arbitrave. Nuk do të tolerojmë që nderi i tyre të vihet në dyshim. Real Madridi synon t’iu bëjë presion atyre, në mënyrë që të mos marrin vendime lirisht”.

Barazimi 1-1 i Real Madridit me Atlético, i kombinuar me fitoren e Barcelonës, bën që vetëm dy pikë t’i ndajnë tri skuadrat kryesuese në La Liga, me “Los Blancos” në vend të parë, “rojiblancos” në të dytin dhe katalanasit në të tretin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit