

Qeveria italiane po shqyrton manovra ligjore për të shmangur bllokadën e gjykatave vendase në zbatimin e marrëveshjes me Shqipërinë për emigrantët.
Një nga opsionet kryesore është transformimi juridik i dy qendrave nga qendra pritjeje për emigrantët në ujërat ndërkombëtare të Mesdheut, në qendra strehimi për emigrantët me status të paligjshëm që kapen në Itali dhe kanë një vendim dëbimi.
Kjo lëvizje synon të shmangë përplasjen mes qeverisë së Giorgia Melonit dhe gjykatave vendase. Sipas ministrit italian të Çështjeve Europiane, Tomaso Foti, ky ndryshim duhet të ndodhë para fundit të marsit, kur Gjykata Europiane e Drejtësisë pritet të marrë një vendim mbi transferimin e azilkërkuesve në Shqipëri.
Propozimi parashikon që ndryshimi i statusit të dy qendrave të ndodhë me anë të një ligji të ri. Megjithatë, ekspertët ligjorë theksojnë se ky ndryshim mund të cenojë marrëveshjen me Shqipërinë, e cila parashikon vetëm strehimin e përkohshëm të azilkërkuesve të kapur në Mesdhe dhe jo të emigrantëve me vendim dëbimi nga Italia.
Për më tepër, kjo kategori përfshin shpesh persona me precedentë penalë, çka shton ndërlikimet ligjore dhe politike. Për këtë arsye, përveç miratimit të një ligji nga Italia, do të kërkohet edhe pëlqimi i palës shqiptare për ndryshimin e destinacionit të qendrave të ngritura në Shqipëri.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





