

Prishtinë- Një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka shprehur pakënaqësinë e tij me rezultatin e votimeve të 9 shkurtit.
"Edhe pse rezultatet preliminare janë publikuar dhe kemi mbi 90% të votave të numëruara, duke përfshirë votat e diasporës dhe ato me kusht, pranoj se rezultati nuk është ai që dëshironim. Nuk jam i kënaqur dhe kjo na bën të reflektojmë," u shpreh Haradinaj.
Pavarësisht rezultatit, ai theksoi se do të vijojë punën për krijimin e një qeverie opozitare, duke përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
"Ne do të vazhdojmë këtë rrugëtim për t’i dhënë Kosovës një qeveri të re opozitare. Fakt është se opozita ka siguruar shumicën e votave krahasuar me partinë në pushtet, e cila pas katër viteve qeverisjeje nuk arriti të ruajë mbështetjen e saj," shtoi ai.
Haradinaj la të hapur mundësinë për bashkëpunim me partitë e tjera opozitare, duke theksuar se synimi i tij është një qeverisje e re që do të adresojë sfidat e vendit në mënyrë më efektive.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd