

"Shumë futbollistë jetojnë në një flluskë, duhet të gjesh një mënyrë për të qëndruar me këmbë në tokë". Kështu e nisi postimin e tij Mario Götze në LinkedIn, autori i golit vendimtar në finalen e Kupës së Botës 2014 mes Gjermanisë dhe Argjentinës, aktualisht lojtar i Eintracht Frankfurt.
Ish-mesfushori i Bayern Munich u fokusua në problemet me të cilat përballen futbollistët pas tërheqjes nga sporti, duke përmendur si shembull Giorgio Chiellinin, të cilin e konsideron një burim frymëzimi për rrugën e ndjekur pas lënies së futbollit:
"Fjalët e tij kanë një domethënie shumë të vërtetë. Giorgio ishte një nga mbrojtësit më të fortë të brezit tonë. Ai e ka ‘ndaluar’ këtë fenomen duke ndjekur studimet universitare dhe fituar njohuri teorike mbi tema specifike, duke u zhvilluar edhe në aspektin njerëzor".
Më tej, në postimin e tij të gjatë, Götze thekson: "Kur i var këpucët në gozhdë, gjëja më e rëndësishme është të shmangësh rënien në humnerë, në atë vrimë të zezë. Ky është synimi i vërtetë. Është e domosdoshme të gjesh një angazhim për të ndihmuar edhe shëndetin mendor, sepse shumë kolegë bien në depresion. Për këtë flitet pak, por është një temë shumë serioze".
Chiellini, i cili është diplomuar në Ekonomi dhe Biznes në Universitetin e Torinos, ka përfunduar edhe studimet master në Administrim Biznesi, është një pikë referimi sipas Götze: "E vlerësoj shumë Giorgion si shembull të gjallë se si mund të kesh sukses në një fushë tjetër edhe gjatë karrierës si futbollist, ose pas saj. Përveç tij, mund të përmend edhe Serena Williams, Kevin Durant dhe David Beckham".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





