Transmetuar më 10-02-2025, 09:00

Pjesëmarrja në zgjedhjet më 9 shkurt ishte dukshëm më e ulët sesa në zgjedhjet e vitit 2021. Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin mbi dy milionë qytetarë.

Në Kosovë përfundoi procesi i votimit për zgjedhjet e rregullta parlamentare, pas një mandati katër vjeҫar të qeverisë së kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje drejtuar nga Albin Kurti.

Sipas KQZ-së, zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të qetë, nuk u shënua ndonjë incident, ndërsa përqindja e pjesëmarrjes në votime ishte më e vogël sesa në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, ku pjesëmarrja ishte 48%.  Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin mbi dy milionë qytetarë, ndërsa votuan rreth 790 mijë qytetarë, që përkthyer në përqindje ishte pak mbi 40%. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve ende nuk ka por, sipas KQZ-së ato janë në proces të numërimit dhe mund të priten së shpejti.

Zgjedhje edhe në pjesën veriore të Kosovës

Mbi 940 qendra votimi ishin të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës iu bashkuan vëzhguesve tjerë vendas e ndërkombëtarë. Zgjedhje u mbajtën edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku sipas KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje ishte pak më e lartë sesa në zonat e tjera të Kosovës. Dhjetë nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb, dhjetë të tjera për komunitetet e tjera pakicë.

Njohësit e rrethanave politike thanë, se në këto zgjedhje pati një pluralizëm më të madh demokratik edhe në mesin e serbëve të Kosovës. Votuesit në zgjedhjet e 9 shkurtit zgjedhin përbërjen e re parlamentare, e cila më pas zgjedh qeverinë e re të Kosovës. Në garë zgjedhore ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Katër kandidatë nga katër partitë më të mëdha garuan për postin e kryeministrit. Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosja, Bedri Hamza nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.

Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ishin të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës. Këto zgjedhje ishin një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit në zgjedhjet e vitit 2021 fitoi thellë kundrejt rivalëve të tij politik. Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit