

Fitorja e thellë e Barcelonës 4-1 ndaj Sevilla e la Hansi Flick entuziast, jo vetëm për performancën e ekipit, por edhe situatën në të cilën ndodhet Barça në La Liga. "Jam shumë i kënaqur me paraqitjen tonë. Luajtëm mirë dhe luftuam për tri pikët. Mendoj se në pjesën e parë luajtëm mirë, ashtu si edhe Sevilla.
Në pjesën e dytë ndryshuam disa gjëra të vogla. Luajtëm me më shumë ritëm, më shpejt, goli i dytë i Fermín ishte shumë i rëndësishëm për ne. Jam shumë krenar për ekipin. Pas kartonit të kuq u mbrojtëm shumë mirë me formacionin 4-4-1", – deklaroi tekniku gjerman pas përfundimit të ndeshjes.
Flick vlerësoi mënyrën se si skuadra reagoi pas përjashtimit të Fermín López, i cili u ndëshkua me të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it: "Është ndryshe të luash me 10 lojtarë, por ia dolëm shumë mirë. Sevilla ka lojtarë të shpejtë në krahë, por ne mbrojtëm në mënyrë perfekte".
Përveç lumturisë për rezultatin, Flick dha një mesazh qetësues për gjendjen e Araujo, i cili u dëmtua pas një ndërhyrjeje nga Saúl në minutën e 22-të: "Duhet të presim deri nesër (sot), por nuk mendoj se është një dëmtim serioz".
Tekniku foli edhe për Fermín López, i cili u ndëshkua me të kuq pas një goli të rëndësishëm: "Fermín ishte i mërzitur për kartonin e kuq, por kishte shënuar një gol të rëndësishëm. Jam i lumtur për intensitetin që kanë ai dhe Gavi. Këto janë gjëra që ndodhin. Është një mësim i mirë të luash në inferioritet numerik dhe të dish të mbrohesh me 4-4-1".
Kur u pyet nëse Barça është ekipi më i mirë në La Liga, një deklaratë e bërë nga Simeone pas derbit madrilen, Flick u tregua modest: "Janë tri, katër apo pesë ekipe shumë të mira, ehe ne jemi mes tyre. Kemi stilin tonë dhe fokusohemi tek ai. Sot jam i lumtur për tri pikët që morëm në Sevilla, por sezoni është i gjatë".
Tekniku gjerman, gjithashtu lavdëroi Pedrin: "Është i pabesueshëm. Është i shkëlqyer me topin, i shpejtë, na ndihmon shumë në mbajtjen e topit dhe në dalje nga presioni. Jam shumë i kënaqur me lojën e tij".
Në fund, Flick tregoi se skuadra do të ketë disa ditë pushim, por me një paralajmërim me humor: "I dhashë ekipit tri ditë pushim, sepse mendoj se e meriton. E rëndësishme është që lojtarët të mos bëjnë gjëra të pamenduara, por të fokusohen në rikuperimin e tyre".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





