Transmetuar më 08-02-2025, 19:03

Kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh i bindur se opozita do korrë fitoren më të thellë e të madhe ndonjëherë më 11 Maj.

“Do ta paketojmë pas zgjedhjeve”, kështu u shpreh sot para protestuesve kryedemokrati Sali Berisha për kryeministrin Edi Rama. Për të, ky miting nuk është elektoral, por ama thekson se “Edi Ramën e ka trembur programi i Partisë Demokratike”.

“Programi ynë e ka tmerruar, e ka verbuar sepse ai program po nxjerr në dritën e diellit të gjitha mashtrimet e tij monstruoze”, tha Berisha.

Më tej renditi një sërë pikash të programit të partisë që e cilëson “atë të taksave të ulëta”.

“3 muaj na ndajnë nga zgjedhjet, fitorja varet nga ne! Fitorja në rast se ne e bëjmë natën ditë, përkushtohemi, ne do korrim një nga fitoret më të thella. Mos harroni, se fitoret e arritura deri tani, i arritëm në kushtet më të vështira, por tani që Trump i ka prerë kokën gjarprit Soros në Uashington, e kuptoni se ç’do të thotë apo jo?!“, deklaroi Berisha.

Pas protestës Berisha u nis për një takim në Itali, por përmendi para mbështetësve të tij mesazhet që mori nga takimi i zhvilluar në Gjermani këtë javë.

“Të dashur miq, pak ditë më parë unë isha në Berlin. Mora pjesë në kongresin e partisë më të madhe të qendrës së djathtë në Europë, Bashkimit Kristian Demokrat Gjerman CDU. Atje shtrëngova duart përzemërsisht me kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë. Takova miq të hershëm. Takova miq të rinj. Ata mezi po presin fitoren e PD-së për të ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer midis dy vendeve. Unë u zotova solemnisht se nga Shqipëria, zero eksport refugjatësh dhe krimi në Europë. Ky është zotimi ynë, zero tolerancë”, tha Berisha.

Pasi valëviti flamurin kuqezi në podium, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, njoftoi se ai do të niset “direkt për në Romë, për takimin e tij me qytetarët atje”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit