

Forcat kryesore të opozitës nisën pasditen e sotme protestën e paralajmëruar kundër qeverisë, duke mbledhur mbështetës të shumtë para selisë së saj përpara se ata t’i drejtoheshin Kryeministrisë.
Rreth 1 mijë efektivë blu po monitorojnë tubimin e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha ndaj asaj që ai e quan "narkoqeveria".
Protesta vjen pas akuzave të ngritura nga ish-zëvendëskryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, i cili denoncoi publikisht se njerëz të pushtetshëm në qeveri kanë lidhje korruptive dhe me botën e krimit.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta duke folur nga burgu për protestën kombëtare të thirrur nga Opozita e Bashkuar, tha se çdo shtet ka mafian e tij, por në Shqipëri mafia ka shtetin e saj, dhe shtoi:
"Tani kjo dëshmohet publikisht edhe nga ish-Zv/Kryeministri socialist, Arben Ahmetaj, krahu i djathtë i Edi Ramës për 10 vite në pushtet. Kjo është një dëshmi historike, sepse vjen nga një dëshmitar okular i disa prej mega-aferave më tronditëse të Edi Ramës.
Kjo dëshmi vjen me prova dhe shkresa zyrtare, por mbi të gjitha me gatishmërinë për të dëshmuar edhe para një Gjykate Ndërkombëtare.
Ahmetaj na provoi se si shteti është shndërruar në organizatë kriminale dhe se Edi Rama është Kryetar i Organizatës.
Ai na tregoi se SPAK-u është një instrument i Edi Ramës që përdoret si komando elektorale për mbulimin e krimeve zgjedhore dhe goditjen e opozitës politike". /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






