Transmetuar më 08-02-2025, 09:08

TIRANE-Opozita do të zhvillojë protestë ditën e sotme nga ora 17:00 deri në orën 20:00 para Kryeministrisë.

Teksa ndodhet në zjarrin e debateve të brendshme për Primaret, listat e mbyllura të deputetëve dhe me kreun e saj nën akuzë prej më shumë se një viti nga SPAK për korrupsion në aferën “Partizani”, PD është e paqartë edhe për protestën e sotme, pasi nuk ka zbuluar skenarin.

Nga ana tjetër, Policia ka zbuluar planin e masave që janë marr si edhe rrugët ku nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve.

Rrugët ku do të kufizohet lëvizja:

-Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

-Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.

-Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Lidhur me protestën e sotme, në një konferencë për gazetarët dje (7 Shkurt), Sali Berisha nuk bëri me dije skenarin, ndërsa tha se kjo do të jetë një demonstrim i fuqishëm në shesh.

"Kjo nuk është protesta e parë. Kam qenë edhe në të tjera, por kjo është e veçantë. Kjo është një protestë tjetër, është një protestë në shesh. Ato ishin protesta me veprime. Skenari nesër do shpallet plotësisht se nuk duhet që armiku të dijë të gjitha taktikat tona", tha Berisha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit