Magazinë
Transmetuar më 07-02-2025, 21:01

Partia me e madhe e opozitës shqiptare e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim, jep alarmin për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut nga ana qeverisë Mickovski, duke rrezikuar seriozisht strukturën multietnike të këtij shteti.

BDI, me anë të një deklarate, bën të ditur se ka informuar zyrtarisht Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për këto përjashtime në institucionet kyçe.

“BDI u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut, që të trajtojnë këto shqetësime përpara se të bëhen strukturore dhe të vështira për t’u rikthyer. Sigurimi i përfaqësimit të drejtë dhe shmangia e margjinalizimit institucional janë thelbësore për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt një të ardhme të qëndrueshme, demokratike dhe evropiane.”

Më tej theksohet se këto veprime bien ndesh edhe me Marrëveshjen e Ohrit, me të cilën për më shumë se dy dekada është bërë përparim i rëndësishëm në integrimin e shqiptarëve, të popullit të dytë më të madh në vend në strukturat shtetërore.

Duke dhënë si shembull, për BDI-në situata duket alarmante ku në institucionet e mbrojtjes e të sigurisë mungojnë shqiptarë në pozicionet drejtuese.

Ndërsa në fushën e kulturës, ndarja e fundit e fondeve shtetërore tregon një mospërfaqësim të dukshëm të shqiptarëve, ku projektet shqiptare kanë marrë më pak se 12% të buxhetit, ndonëse shqiptarët përbëjnë mbi 29% të popullsisë së vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit