

Fabio Capello foli gjatë në një intervistë për “Radio Serie A”, duke prekur momente kyçe të karrierës së tij, nga Milan e deri te Juventusi.
Marrëdhënia me Milanin dhe Berlusconin: "Ia detyroj gjithçka Silvio Berlusconit, ai besoi tek unë që nga fillimi. Shumë të rëndësishëm ishin edhe Galliani, një nga drejtuesit më të aftë që kam njohur ndonjëherë, edhe Braida, që kuptonte shumë nga futbolli".
Kur u rikthye në Milano pas përvojës së parë, Berlusconi i kërkoi të merrte drejtimin e ekipit: "Më mungonte era e barit, sepse isha mësuar gjithmonë të jem në fushë. Berlusconi më tha: Fabio, duhet të kthehesh. Dhe unë, për atë që i detyrohesha, shkova te presidenti i Real Madridit dhe i kërkova të më linte të largohesha. U ktheva te Milani dhe më përzunë në të njëjtin sezon!"
Ronaldo "Fenomeni" dhe vendimi i Capellos: "Berlusconi bënte gjëra të paparashikueshme. Kur isha te Real Madridi më pyeti nëse duhej ta blinte Ronaldon për Milanin. I thashë ‘jo’, sepse nuk ka më dëshirë të stërvitet, është mbipeshë dhe nuk do të dobësohet. Sidoqoftë, ai e bleu gjithsesi (qesh)".
Megjithatë, Capello e pranon: "Ronaldo ishte lojtari më i fortë që kam trajnuar. Ai kishte forcë, gjenialitet dhe një shpejtësi që nuk e shihje te të tjerët. Van Basten ishte superklas, por nuk kishte të njëjtën fuqi, ose ndryshim ritmi si Ronaldo".
Në përvojën e tij të dytë te Real Madridi, Capello e largoi Ronaldon: "Ishte një lider negativ për ekipin. Pas largimit të tij, arritëm të përmbysnim 9 pikë diferencë me Barcelonën dhe fituam titullin".
Capello rrëfeu një moment dramatik të fitores së titullit me Romën: "Në 10 minutat e fundit kundër Parmës, tifozët pushtuan fushën. Nëse dikush do të kishte shtyrë ose goditur një lojtar të Parmës, do ta kishim humbur ndeshjen në tavolinë. Ishte hera e parë që inatosesha aq shumë me tifozët".
I pyetur për periudhën e tij te Juventusi, Capello tha: "Ishte një eksperiencë pozitive. Kishim një ekip të jashtëzakonshëm, nuk kishim nevojë për atë që ndodhi me ‘Calciopolin’. Për mua, ato kampionate janë fituar në fushë".
Refuzimi i kombëtares italiane: "Më është ofruar drejtimi i Italisë, por e refuzova. Ishte një ofertë e bërë pas një ndeshjeje Itali-Spanjë në Udine. Nuk e ndjeva brenda vetes që ishte momenti i duhur. Gjithmonë i kam bërë gjërat duke ndjekur ndjesitë e mia".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






