Transmetuar më 06-02-2025, 19:19

SHBA ka vendosur të ndërpresë fondet për të gjithë botën me një urdhër ekzekutiv të presidentit Donald Trump, duke prekur edhe disa institucione në Shqipëri, përfshirë SPAK dhe BKH. Ky vendim ka shkaktuar paqartësi në lidhje me ndikimin që mund të ketë mbështetja e SHBA për SPAK-un, por institucioni i drejtësisë shqiptare ka reaguar duke theksuar se mbështetja e tij vjen kryesisht nga buxheti i shtetit shqiptar.

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka dhënë një reagim të qartë, duke theksuar se ka mbështetur SPAK-un prej themelimit të tij dhe ka ofruar një ndihmë të konsiderueshme për reformën në drejtësi. BE-ja ka siguruar një mbështetje prej mbi 50 milionë eurosh për SPAK, përmes asistencës teknike dhe mbështetjes buxhetore, duke nënvizuar rëndësinë e SPAK për hetimin e korrupsionit dhe krimeve të rënda.

Në reagimin e tij, BE ka theksuar se roli i SPAK-ut është i një rëndësie kyçe për të ndihmuar Shqipërinë të krijojë një historik të besueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu, është theksuar se mbështetje të tjera janë të parashikuara për të vazhduar këtë ndihmë pa ndërprerje, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.

Reagimi i BE-së vjen pas pezullimit të ndihmës nga SHBA, duke siguruar vazhdimin e mbështetjes për SPAK dhe reformën në drejtësi në Shqipëri.

Reagimi i BE:

Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.

* BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.

* Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve.

* Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.

* Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.

* SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit