Magazinë
Transmetuar më 06-02-2025, 18:51

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë ndaj deklaratave të ish-emisarit amerikan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell. Kurti ka theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira, duke përmendur bashkëpunimin e ngushtë në forcimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) dhe blerjen e armëve amerikane.

"Kosova ka pasur kurrë më mirë bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Po blejmë helikopterë ‘Black Hawk’ dhe sisteme anti-tank Javelin. Grantin më të madh nga Amerika Kosova e ka marrë gjatë mandatit tim," ka thënë Kurti gjatë një intervistë për një televizion lokal në Istog, duke shtuar se ka pasur gjithmonë kritika dhe vërejtje, por që këto nuk e ndalojnë vendin në përpjekjet për të ecur përpara.

Këto komente vijnë pas një sulmi të ashpër nga Richard Grenell, i cili, pesë ditë para zgjedhjeve në Kosovë, e akuzoi Kurtin si një partner të pasigurt dhe të pabesueshëm. Në një postim në platformën "X", Grenell theksoi se veprimet e njëanshme të qeverisë Kurti po destabilizojnë rajonin dhe se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE-në dhe NATO-n, është i bashkuar kundër tij.

Grenell e përshkroi Kurtin si të paqëndrueshëm dhe kritikoi qeverinë e tij për vendime që, sipas tij, po përkeqësojnë marrëdhëniet me SHBA-të dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Qëndrimi i Grenell për kryeministrin e Kosovës është përcjellë edhe nga djali i ish-presidentit amerikan, Donald Trump Jr., duke intensifikuar përplasjet mes Kurtit dhe administratës Trump.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit