

Këshilli Drejtues i rrjetit publik radioteleviziv RTSH, ka hyrë në krizë sot pasi nënkryetari Gëzim Podgorica ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij.
Gazetar, publicist dhe diplomat ndër vite, Gëzim Podgorica duket se ka vendosur të rrijë larg tymnajës dhe krizës që ka përfshirë RTSH për shkak të procesit të shumëpërfolur të zgjedhjes së drejtorit të ri.
Noa.al raporton se gjatë ditës së sotme, ka dhënë dorëheqjen jo vetëm nënkryetari i Këshillit Drejtues Gëzim Podgorica, por edhe anëtari Genc Përmeti.
Dorëheqjet vijnë ndërsa Këshilli Drejtues tashmë i mbetur me 9 anëtarë, është zhytur në krizë për zgjedhjen e drejtorit të ri të RTSH dhe shtyrja e procesit po vazhdon.
Më herët, për pak më shumë se një vit, RTSH e drejtoi Alfred Peza, ish deputeti socialist. Që atëherë qëndron e komanduar Aurora Polo e cila kandidoi për të marrë kreun e RTSH.
Më herët, në mbledhjen e mëparshme të Këshillit Drejtues, kreu Leka Bungo foli për paligjshmëri të Këshillit në procesin ku u skualifikuan nga gara disa emra dhe vijuan konkurrimin zv.drejtoresha në detyrë Aurora Polo si dhe kreu i RTSH Shkodra, Jetmir Shpuza.
Bungo tha se përzgjedhja e Aurora Polos nuk plotëson kriterin kryesor për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm RTSH, duke shtuar: "Aurora Polo as nuk duhej të zgjidhej zv/drejtoreshë e përgjithshme. Nuk ka as diplomën e profilit të caktuar. Polo ka mbarur për inxhinieri, nuk ka punuar në media dhe ka konflikt interesi”, tha Bungo duke folur për faktin sipas tij se ajo është në krye të një biznesi privat.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






