

Parandalimi i një vjedhjeje në kohë rekord, Policia arreston dy persona me precedent penal
Vlorë – Një tentativë vjedhjeje është parandaluar në kohë rekord në lagjen “24 Maji” të qytetit të Vlorës, pas ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Patrullës së Përgjithshme. Policia kapi në flagrancë dy persona që po përpiqeshin të vidhnin në një subjekt tregtar.
Dy të arrestuarit, shtetasit E. H., 36 vjeç dhe E. K., 31 vjeç, banues në Vlorë, rezultojnë me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Hetimet e thelluara kanë nxjerrë në pah se të njëjtët shtetas dyshohet të jenë autorë edhe të dy ngjarjeve të tjera: vjedhjes së disa produkteve në një lokal në lagjen “10 Korriku”, më 25.01.2025, si dhe një tentative për vjedhje materialesh elektrike, më 02.01.2025, në një objekt në ndërtim në lagjen “1 Maji”.
Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi disa sende që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e vjedhjeve.
Aktualisht vijojnë hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera ku këta shtetas mund të jenë të përfshirë.
Materialet në ngarkim të dy të arrestuarve i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Vlorës bën apel për bashkëpunimin e qytetarëve, duke ftuar këdo të raportojë çdo lëvizje të dyshimtë me qëllim rritjen e sigurisë në territor. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






