

Një moment i pritur për 11 vite. Neymar Jr. e ka veshur sërish fanellën e Santos në sfidën e zhvilluar natën e kaluar kundër Botafogo SP, ndeshje e vlefshme për “Campeonato Paulista”. Ylli brazilian, ish-lojtar i Barcelonës dhe PSG-së, hyri në fushë në fillim të pjesës së dytë dhe i dha publikut shfaqje të klasit të lartë.
Para ndeshjes, sulmuesi i dha një goditje të fortë ish-trajnerit të tij, Jorge Jesus, i cili e kishte larguar nga projekti i Al Hilal: "Jam gati të luaj. Nuk kam 90 minuta, sepse kam qenë i lënduar për një kohë të gjatë.
Kalova një lëndim të rëndë; pastaj u ktheva dhe pësoj një lëndim tjetër. Jam stërvitur, por kisha nevojë të luaja, të ndihesha i lumtur. U zhgënjeva shumë nga ajo që nxori nga goja Jorge Jesus, kur tha se nuk isha në të njëjtin nivel me shokët e skuadrës".
Neymar shtoi: "Në stërvitje ishte krejtësisht ndryshe, kam treguar se jam në formë për të luajtur, ashtu siç ishin edhe lojtarët e tjerë. Nuk më pëlqen të flas për këtë, të krijoj polemika, por kjo është e vërteta. E dija që mund të provoja se ai gabonte. Fusha flet dhe është vendi i vetëm ku mund ta mbroj veten nga të gjitha kritikat, nga gjithçka që njerëzit mendojnë për mua".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






