

Operacioni “Njësia”/ Goditet grupi kriminal i falsifikimit të dokumenteve, arrestohen tre persona dhe ndalohen tre të tjerë. Sekreti i dokumenteve të falsifikuara zbulohet nga një operacion blic – kush fshihej pas skemës?
Tiranë – Një operacion i gjerë policor i koduar “Njësia”, i zhvilluar nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët të Investigimit me ShBA-në dhe Prokurorinë e Tiranës, ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të angazhuar në falsifikimin e dokumenteve të identifikimit.
Si rezultat i hetimeve intensive, tre persona janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë ndaluar me iniciativë nga autoritetet, raporton noa.al.
Në pranga kanë rënë Kushtrim Doksani, 35 vjeç, banues në Tiranë; Kujtim Gilani, 57 vjeç, banues në Prizren; dhe Getoar Luzha, 28 vjeç, banues në Kaçanik.
Ndërkohë, Kujtim Duka, 56 vjeç; Leonard Basha, 58 vjeç; dhe Erina Doksani, 20 vjeçe, të tre banues në Tiranë, janë ndaluar për hetime të mëtejshme.
Mënyra e veprimit të grupit kriminal
Sipas hetimeve të kryera, ky grup i organizuar kriminal falsifikonte pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi, të cilat më pas i shiste tek persona që synonin të lëviznin ilegalisht drejt vendeve që kërkojnë viza.
Gjatë operacionit, u sekuestruan 15 dokumente të dyshuara si të falsifikuara, përfshirë:
3 pasaporta dhe 3 karta identiteti amerikane
2 pasaporta, 2 karta identiteti dhe 1 leje drejtimi italiane
1 pasaportë dhe 1 leje drejtimi angleze
1 leje drejtimi rumune
1 kartë identiteti shqiptare
Gjithashtu, si prova materiale u sekuestruan 7 celularë dhe 1 motomjet që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e aktivitetit kriminal.
Hetimet dhe ndjekja ligjore
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Të arrestuarit dhe të ndaluarit do të përballen me akuzat për:
“Falsifikimi i dokumenteve”
“Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”
“Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”
Policia e Shtetit vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, si dhe për zbulimin e destinacionit final të dokumenteve të falsifikuara. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






