Transmetuar më 06-02-2025, 11:03

Tiranë – Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi krimin e rëndë që tronditi familjen Gjoni në zonën e Kodrës së Priftit, ku 74-vjeçari Hekuran Gjoni vrau me thikë djalin e tij, Asim Gjoni, 41 vjeç. Pas marrjes në pyetje të familjarëve dhe analizimit të rrethanave, hetimet kanë zbardhur dinamikën dhe motivin e kësaj ngjarjeje tragjike.

Shkaku i konfliktit – Një çështje pronësie

Sipas burimeve hetimore, konflikti kishte lindur për shkak të ndarjes së pronës. Familja Gjoni jetonte prej vitesh në një banesë trekatëshe private, e cila ishte ndarë mes tre djemve të familjes me akt dhurimi nga babai.

Kati i parë i ishte dhënë Asim Gjonit, por ishte ndarë në dy hyrje, ku në njërën jetonte ai me familjen dhe në tjetrën prindërit e tij. Katet e sipërme ishin ndarë mes dy djemve të tjerë.

Konflikti u përshkallëzua kur motra e viktimës, e cila ishte rikthyer në shtëpinë e prindërve pas një divorci, kërkoi pjesë të pronës për vete. Kjo kërkesë solli tensione në familje, të cilat kulmuan ditën e ngjarjes.

Dinamika e krimit

Sipas dëshmive, ditën e krimit në shtëpi ndodheshin autori, nëna e Asimit, motra e tij dhe vetë viktima. Debati për pronën u ndez sërish, duke çuar në një konflikt verbal dhe fizik mes babait dhe djalit. Në kulmin e debatit, Hekuran Gjoni ka marrë një thikë kuzhine dhe ka goditur për vdekje të birin.

Fillimisht, motra e viktimës kishte deklaruar se autori dhe viktima ishin nën efektin e alkoolit, por hetimet dhe dëshmitë e tjera e rrëzuan këtë pretendim. U konfirmua se Asim Gjoni nuk konsumonte alkool dhe ishte një person i qetë, i përkushtuar ndaj familjes. Nga ana tjetër, Hekuran Gjoni rezultoi përdorues i rregullt i alkoolit dhe shpeshherë ishte agresiv ndaj familjarëve të tij.

Pasojat dhe reagimi i familjes

Pasi mori plagë të rënda, Asim Gjoni u transportua në spitalin e Traumës, ku fatkeqësisht ndërroi jetë. Ndërkohë, motra e tij mbeti e lënduar gjatë konfliktit dhe mori trajtim mjekësor, por më pas u largua nga banesa dhe nuk mori pjesë as në varrimin e të vëllait.

Asim Gjoni, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, kishte qenë një punëtor i palodhur që prej moshës së re, duke kontribuar për ndërtimin e shtëpisë dhe mbajtjen e familjes. Ai punonte në ndërtim dhe nuk ishte i përfshirë në konflikte të mëparshme, sipas dëshmive të afërmve të tij.

Autori i krimit, Hekuran Gjoni, është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë nga autoritetet kompetente.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit