

Tre punonjës të burgut të Shënkollit në Lezhë janë vënë në pranga për shpërdorim detyre, pas arratisjes spektakolare të 49-vjeçarit Daut Laze dje më 4 shkurt.
Sipas hetimeve paraprake, Pjetër Ndoka, Mark Nikolli dhe Zhaneta Medha nuk kanë zbatuar procedurat e sigurisë në momentin e largimit të të dënuarit.
Laze, i cili ndodhej në dhomën e mjekimeve të burgut, ka shfrytëzuar një moment pakujdesie për t’u arratisur.
Policia e Shtetit ofron një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që ofron informacion të saktë që çon në kapjen e tij.
I arratisuri ishte arrestuar më 16 nëntor 2021 për dhunë në familje dhe sipas informacioneve paraprake vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Me vendimin nr. 528, datë 4 nëntor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte vendosur ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, sipas nenit 46 të Kodit Penal.
Për momentin, uniformat blu vazhdojnë kërkimet intensive në terren, duke bërë thirrje për bashkëpunim ndaj çdo qytetari që mund të ketë dijeni mbi vendndodhjen e Daut Lazes.

Daut Laze
Çfarë ka njoftuar dje Policia e Shtetit
Menjëherë pas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, se në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në Institucionin e Posaçëm Mjekësor, Lezhë, është konstatuar mungesa e pacientit, shtetasit Daut Laze, 49 vjeç, shërbimet e Policisë së Shtetit kanë organizuar punën dhe po kryejnë kontrolle intensive për gjetjen e tij.
Sqarojmë se shtetasi Daut Laze është arrestuar në vitin 2021, për veprën penale “Dhuna në familje”, dhe në vitin 2024, Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën “Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor”.
49-vjeçari paraqet rrezikshmëri shoqërore, prandaj kërkojmë ndihmën e qytetarëve, për të njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, për çdo të dhënë në lidhje me vendndodhjen e tij.
Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 49-vjeçarit.
Policia e Shtetit ka vendosur shpërblimin 10 000 euro për çdo informacion të vlefshëm mbi vendndodhjen e këtij shtetasi. Qytetarët mund të njoftojnë në numrin pa pagesë 112 të Policisë së Shtetit dhe në numrin 068 200 29 61, të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd