Transmetuar më 04-02-2025, 11:11

José Mourinho njihet nga të gjithë si një nga trajnerët më të mirë të shekullit të 21-të dhe një nga më të mëdhenjtë në histori. Megjithatë, sipas Ricardo Quaresma, trajneri aktual i Fenerbahçes nuk mund të konsiderohet as trajneri më i mirë portugez. Këto deklarata me siguri do të ngjallin debate dhe mund të provokojnë një përgjigje nga "Special One".

Ish-lojtari i Interit dhe Portos, i cili ka punuar me Mourinhon te zikaltërit, ishte i ftuar së fundi në emisionin “Júnior Coimbra Show”, ku e mbushi me elozhe Jorge Jesus, të cilin e cilësoi si trajnerin më të mirë portugez:

"E kam thënë gjithmonë dhe po e përsëris. Ok, mund të flasim për Mourinhon, por për mua Jorge Jesus është më i miri. Kudo që shkon, ai fiton. Ky është realiteti. Ai është thjesht trajneri që e kupton më shumë futbollin, është trajneri më i mirë portugez".

Quaresma, kampion Europe me Portugalinë në vitin 2016 dhe i njohur për goditjen e tij të veçantë "trivela", ka befasuar me këtë deklaratë, duke sfiduar reputacionin e Mourinhos. Gjithashtu, ai ka zbuluar se ka qenë shumë pranë një transferimi te Flamengo në vitin 2019:

"Kam folur me Jesus kur ishte te Flamengo. Biseduam në telefon, por nuk arritëm një marrëveshje. Në atë kohë isha te Besiktas në Turqi, por gjërat nuk po shkonin mirë. Ai më pas arriti të fitonte gjithçka dhe të shkruante historinë me Flamengon".

Deklaratat e Quaresma kanë ndezur debatin në Portugali: kush është vërtet trajneri më i madh portugez në aktivitet, Mourinho apo Jesus?

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit