Transmetuar më 04-02-2025, 08:45

Sergio Ramos do të bëhet lojtar i ri i Rayados de Monterrey ditët e ardhshme, duke iu bashkuar bashkëkombasve të tij Sergio Canales dhe Óliver Torres në ekipin meksikan.

Mbrojtësi 38-vjeçar (i cili do të mbushë 39 vite më 30 mars) është pa ekip që nga përfundimi i kontratës me Sevilla. Ai iu nënshtrua dje kontrollit mjekësor të hollësishëm në Madrid, që zgjati 5 orë, në “Centro Médico Olympia”, me praninë e përfaqësuesve të klubit meksikan, të cilët donin të verifikonin gjendjen e tij fizike përpara finalizimit të marrëveshjes.

Në Madrid kishte udhëtuar edhe Felipe Peña, shefi i shërbimeve mjekësore të klubit meksikan, si dhe doktori Benito Flores. Përveç testit fizik, që pritet të zhvillohet sot, ish-kapitenit të Real Madridit iu kryen dje analiza gjaku dhe testet e glukozës nën mbikëqyrjen e mjekut Luis Serratosa, i kërkuar personalisht nga vetë lojtari.

Nëse gjithçka shkon mirë, me praninë e drejtuesit Tato Noriega, marrëveshja mund të mbyllet të mërkurën. Pas përfundimit të dokumentacionit të nevojshëm për vizën e punës në konsullatën meksikane në Madrid, Ramos mund të udhëtojë drejt Monterrey të premten.

Vetëm nëse testet mjekësore nuk rezultojnë perfekte, operacioni do të ndalet, një udhëzim i drejtpërdrejtë nga bordi drejtues i klubit. Megjithatë, gjithçka duket në rrugën e duhur dhe trajneri Martín Demichelis është optimist: "Shpresoj që fundjavën e ardhshme të përjetojmë diçka shumë të bukur me prezantimin e të gjithë lojtarëve, përfshirë edhe Sergio Ramosin".

Rayados, i themeluar më 1945, ka fituar pesë tituj të Primera División të Meksikës dhe tri Kupa Kombëtare. Në arenën ndërkombëtare, ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve të CONCACAF-it dhe një “Recopa” të CONCACAF-it.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit