Transmetuar më 03-02-2025, 13:59

Erzen Breçani, gjatë seancës për dosjen “Metamorfoza”, kundërshtoi provat e paraqitura nga SPAK dhe deklaroi se nuk pranon gjykimin e shkurtuar. Ai tha se dëshiron të gjykohet me procedurë të zakonshme dhe se ka ndjekur procesin hetimor nga afër.

Duke përmendur Bujar Ajetin, një nga të pandehurit në këtë çështje, Breçani tha se e njeh prej fëmijërisë dhe nga puna në RENEA, duke pretenduar se ky nuk ka qenë person në kërkim dhe ka kaluar kufirin me pasaportë disa herë. Ai shtoi se gjatë gjithë karrierës së tij ka ndjekur kriminelët dhe nuk mund të përkrahë një kategori të tillë.

Lidhur me akuzën për pastrim parash, Breçani mohoi përfshirjen, duke theksuar se financimet për hidrocentralin e tij vijnë nga bizneset e vëllait të tij dhe jo nga aktivitete të paligjshme.

“Unë dua të gjykohem me procedurën e zakonshme. E njoh shumë mirë hetimin dhe në dijeninë time, ky që është pas meje, Bujar Ajeti që e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA, në dijeninë time nuk ka qenë ky person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam arsyet e mia pse unë nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar.

Bujar Ajeti ka qenë i shoqëruar disa herë, ka kaluar kufirin me pasaportë. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani. Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur.

Për akuzën e “pastrimit të parave”, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese”, tha Breçani

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit