Transmetuar më 03-02-2025, 07:12

Goli i De Vrij në fundin e ndeshjes i mohoi Milanit fitoren e tretë radhazi në derbi dhe të dytën për Sergio Conceição, i cili vetëm pak javë më parë kishte festuar një fitore të ngjashme në Superkupë.

"Ky është qëndrimi që dua të shoh nga skuadra. Djemtë bënë një punë të shkëlqyer, duke ndjekur udhëzimet tona, kundër një kundërshtari shumë të fortë, – u shpreh Conceição pas ndeshjes. – Ishte e rëndësishme të kontrollonim pikat e forta të Interit dhe të përfitonim nga mundësitë tona. Jemi të zhgënjyer, sepse humbëm dy pikë në fund, por mendoj se barazimi është rezultat i drejtë. Skuadra bëri një paraqitje të mirë, kjo duhet të jetë pika jonë e nisjes për katër muajt e ardhshëm".

Trajneri portugez e pranoi se ka ende hapësirë për përmirësim: "Gjëja më e rëndësishme është që grupi të pranojë idetë tona të lojës dhe metodën e punës. Nuk është e lehtë të përmirësohesh vetëm me analizë video, sepse intensiteti dhe agresiviteti stërviten në fushë. Fatkeqësisht, lojtarët tanë nuk e kanë këtë karakteristikë dhe nuk kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u stërvitur për shkak të kalendarit të ngjeshur".

Duke analizuar aspektin taktik, ai shtoi: "Pjesa mendore ishte e pranishme, tani na duhet vazhdimësia dhe kjo nuk është e negociueshme. Në aspektin e dinamikave të lojës dhe organizimit, na mungon ende diçka. Kur tentuam të presonim lart, lamë hapësira në mesfushë, që nuk duhet ta lëmë. Nëse sulmon mirë, je i përgatitur të reagosh pa u futur në vështirësi, njësoj siç ndodhi me presionin tonë që çoi te goli".

Duke komentuar ndryshimin taktik gjatë ndeshjes, portugezi shpjegoi: "Në mesfushë vuajtëm shumë, ndaj zëvendësova Bennacer me Jimenez dhe ndryshuam sistemin e lojës. Shtova më shumë forcë fizike, Alex ndihmoi edhe në fazën mbrojtëse si mbrojtës i pestë. Me Musah në qendër siguruam më shumë ekuilibër në mesfushë".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit