Transmetuar më 01-02-2025, 22:24

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga Gjermania mbi fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Kuvendin Rinor të Partisë Socialiste.

Sipas Berishës, Rama përdori një gjuhë fyese ndaj opozitës për të fshehur atë që ai e cilëson si “damkosjen e tmerrshme” të kryeministrit si drejtues i një “narkoshteti kriminal”.

“Sot, Edi Rama në një llogore banale foli para të rinjve socialistë sikur të ishte i ati i tyre biologjik ose shpirtëror. Ai përdori të gjitha termat e marrë nga bota e tij shpirtërore për të anatemuar opozitën, me qëllim që të maskojë damkosjen e tij si kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, Shqipërisë,” – deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri e akuzoi Ramën se nuk foli për problemet reale të të rinjve, si punësimi dhe perspektiva e tyre në Shqipëri, por vetëm për opozitën. Sipas tij, qeveria e drejtuar nga Rama ka shkaktuar një “gjenocid ndaj të rinjve”, duke i detyruar rreth 600 mijë prej tyre të largohen nga vendi në dhjetë vitet e fundit.

“Para të rinjve, Edi Rama nuk tha një fjalë për punësimin e tyre, për ëndrrat e tyre. Në epokën e zhvillimeve të mëdha teknologjike, të dhënave ‘big data’, resë kompjuterike dhe inteligjencës artificiale, ai nuk shqipëroi një fjalë për Shqipërinë e nesërme. Përveç sharjeve dhe mbrojtjes së krimeve të tij, nuk u ofroi të rinjve asgjë, përveç largimit nga vendi,” – shtoi Berisha.

Në përfundim, ai ftoi të rinjtë shqiptarë të zgjedhin alternativën e Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, garanton një të ardhme të ndritur në Shqipëri, të bazuar në zhvillimet teknologjike dhe punësim cilësor.

“Ftoj çdo të ri të ndjekë jo alternativën e një sharësi profesionist, por alternativën e Partisë Demokratike, që ofron mundësi të mëdha për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë në vendin tonë,” – përfundoi Berisha nga Gjermania. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit