Transmetuar më 01-02-2025, 19:54

Tragjedi familjare në Tiranë: Kur bulizmi brenda shtëpisë përfundon në krim.  Foto qendrore nga vendngjarja. Fotot e tjera, i ndjeri dhe babai i dyshuar

TIRANË – Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e së shtunës banorët e zonës së Kodrës së Priftit në Tiranë.

Një konflikt i ashpër mes një babai dhe djalit të tij përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme, duke lënë pas një familje të shkatërruar dhe një komunitet të tronditur.

Sipas burimeve zyrtare, më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 18:50, në rrugën "Ilia Shyti", në banesën e tyre, shtetasi Hekuran Gjoni, 74 vjeç, ka goditur për vdekje me një mjet prerës të birin e tij, Asim Gjoni 37 vjeç.

Asim Gjoni

Viktima u transportua menjëherë në spital, por për fat të keq, nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Bulizmi si shkak tragjedie

Nga të dhënat e para të hetimit, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një debati të ndezur mes të atit dhe të birit, i cili prej kohësh kishte sjellje ngacmuese dhe tallëse ndaj babait të tij.

Sipas dëshmive të mbledhura, djali e kishte ironizuar dhe përqeshur të atin vazhdimisht, duke e ofenduar në mënyrë të përsëritur.

Asim Gjoni

Këto sjellje, të kombinuara me tensionin e akumuluar ndër vite, çuan në një shpërthim dhune fatale.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në momentin e krimit, si viktima ashtu edhe autori ishin nën efektin e alkoolit. Ky faktor mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit dhe agravimin e situatës deri në vrasje.

Dëshmia e të moshuarit: "Nuk durova më!"

Hekuran Gjoni

Pas arrestimit, 74-vjeçari ka pranuar fajin duke deklaruar se veprimi i tij ishte pasojë e një durimi të sosur. "Më ka tallur gjithmonë, më ka bërë të ndihem i pavlerë, nuk durova më," mësohet të ketë thënë ai në polici.

Fqinjët dhe të afërmit, të cilët e njohin familjen prej vitesh, janë shprehur të tronditur nga ngjarja.

Disa prej tyre kanë pohuar se debatet mes babait dhe djalit ishin të shpeshta, por askush nuk kishte menduar se situata do të përshkallëzohej deri në këtë pikë.

Hetimet në vijim

Grupi hetimor po punon për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike. Policia ka sekuestruar armën e krimit dhe po kryen verifikime të mëtejshme mbi dinamikën e konfliktit, si dhe mbi gjendjen psikologjike të autorit.

Kjo ngjarje e rëndë ngre pikëpyetje mbi fenomenin e bullizmit brenda familjes dhe pasojat e tij shkatërrimtare.

Çështja e dhunës verbale dhe psikologjike brenda mjedisit familjar shpesh neglizhohet, por kjo tragjedi tregon se ndikimi i saj mund të jetë po aq shkatërrimtar sa edhe dhuna fizike.

Ndërkohë, autoritetet kanë bërë thirrje për ndërgjegjësim mbi konfliktet familjare dhe rëndësinë e ndërhyrjes së institucioneve sociale për të parandaluar ngjarje të tilla tragjike në të ardhmen.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit