

Një numër i madh studentësh dhe qytetarësh janë organizuar të shtunën për bllokimin e tri urave mbi lumin Danub në Novi Sad, fiks tre muaj pasi 15 persona janë vrarë si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të këtij qyteti, i dyti më i madhi në Serbi.
Studentët janë nisur nga kampusi i Universitetit të Novi Sadit drejt urave Varadin, Zhezhele dhe atë të Lirisë, të cilat do të jenë të bllokuara prej orës 15:00. Disa janë parë duke mbajtur në duar mbishkrimet “Tre muaj – tri ura”.
Urat do të jenë të bllokuara fillimisht për tri orë dhe më pas pjesëmarrësit do të mblidhen në Urën e Lirisë, të cilën do ta bllokojnë për 24 orë.
Studentëve të Novi Sadit u janë bashkuar edhe studentët prej Beogradit, të cilët kanë ecur për dy ditë prej kryeqytetit.
Protestat e vazhdueshme kanë rezultuar me dorëheqjen e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, më herët gjatë javës, dhe një mori koncesionesh të bëra nga Qeveria populiste, e cila bën përpjekje të qetësojë rezistencën. Megjithatë, studentët kanë insistuar se do ta vazhdojnë protestën deri në realizim të kërkesave të tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd