

Lehtësimi ishte i madh kur nënkryetarja e Bundestagut, Petra Pau, shpalli rezultatin e votimit të premten në mbrëmje: Një fitore e ngushtë për ata që donin të ruanin distancën nga e djathta ekstreme.
Me vetëm 12 vota më shumë, mocioni për “kufizimin e fluksit të migracionit”, i propozuar nga CDU/CSU, u refuzua.
Në total, 349 deputetë votuan kundër, 338 pro dhe 5 abstenuan.
Ky projektligj synonte të ashpërsonte rregullat e migracionit dhe t’i jepte policisë federale më shumë kompetenca për dëbime.
Por drama e vërtetë nuk ishte tek përmbajtja e tij, por tek mënyra se si CDU/CSU e paraqiti në parlament.
Ishte e qartë që kjo nismë mund të kalonte vetëm me ndihmën e votave të AfD-së, diçka që deri më tani kishte qenë tabu në Bundestag.
Për dekada, partitë kryesore kishin ruajtur një distancë të fortë nga e djathta ekstreme, por ky votim e sfidoi këtë rregull të pashkruar.
“Një njollë që do t’ju ndjekë gjithmonë”
Në sallën e Bundestagut, temperatura politike ishte në maksimum.
Debati filloi katër orë me vonesë, pati shumë ndërprerje të gjata dhe fjalimet ndërpriteshin për shkak të akuzave të ndërsjella.
Kreu i grupit parlamentar të SPD-së, Rolf Mützenich, e quajti këtë një moment historik, por jo në sensin pozitiv.
“Nëse Unioni mbështetet në votat e AfD-së, kjo do të jetë një njollë që do t’i ndjekë gjithmonë”, paralajmëroi ai.
Konservatorët e kryesuar nga Friedrich Merz, i cili është jo vetëm kryetar i grupit parlamentar CDU/CSU dhe i partisë CDU, por edhe kandidati kryesor per kanclear, i hodhën poshte akuzat. “Askush në partinë time nuk i shtrëngon dorën AfD-së,” tha ai me ton të vendosur. “Kjo parti minon themelet e demokracisë sonë dhe ka synimin të shkatërrojë CDU-në.”
AfD: “CDU/CSU ka kopjuar programin tonë”
Annalena Baerbock, ministrja e jashtme (Të Gjelbrit), kujtoi se parashtrimi i mocionit për ndryshimin e ligjit te migracionit u bë pikërisht më 29 janar, kur Bundestagu përkujtoi edhe viktimat e Holokaustit.
“Dita e mërkurë filloi me një përkujtim të viktimave të nazizmit dhe përfundoi me të djathtët ekstremë që qeshnin dhe festonin në parlamentin tonë. Kjo është një thyerje e rëndë e tabuve,” tha ajo.
Mesazhi ishte i qartë: CDU/CSU kishte shkelur vijën e kuqe dhe tani duhej të përballej me pasojat.
Deputetët e AfD-së, që me në krye Alice Weidel, si kandidate për kancelare, kanë kohë që po përpiqen ta tërheqin CDU/CSU nga vetja, nuk e fshehën kënaqësinë as të premten: “Një ndryshim i vërtetë në politikën e migracionit mund të vijë vetëm me AfD-në. CDU/CSU e ka kopjuar programin tonë, prandaj po e mbështesim”, tha bashkëkryetari i grupit parlamentar, Bernd Baumann.
Opioni publik pro kufizimit të migracionit, kundër bashkëpunimit me AfD
Megjithëse projektligji u refuzua, çështja që la kjo javë të hapur është se deri ku është e gatshme të shkojë CDU/CSU për të siguruar pushtetin.
Sidoqoftë, ky episod i jashtëzakonshëm në Gjermaninë e pasluftës, për momentin duket se nuk ka ndryshuar preferencën e gjermanëve për votim:
Ndërsa 23 shkurti i zgjedhjeve parlamentare sa vjen e afrohet, sondazhet më të fundit vijojnë të kenë në krye: CDU/CSU me 30%, pasuar nga AfD me 20%.
SPD dhe të Gjelbrit me 15%, dhe Aleanca Sahra Wagenknecht që arrin në 5%. FDP dhe E majta (Die Linke) rrezikojnë të mbeten jashtë parlamentit, pasi qëndrojnë nën pragun prej 5%.
Një sondazh i shpejtë i televizionit publik gjerman, ARD-së, tregoi se shumica e gjermanëve janë pro shtrëngimit të politikave të migracionit, por po aq gjermanë janë edhe kundër çdo lloj bashkëpunimi me AfD-në./dw
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






