

Dita e djeshme në botën e Milanit duhet rrëfyer, pasi mund të hapë dyert për atë që do të ndodhë sot, një tjetër ditë plot lajme dhe zhvillime. Gjithçka nisi me “telenovelën” e zakonshme të Santiago Gimenez.
Meksikani ishte shumë pranë transferimit, mungonin vetëm detajet e fundit, por takimi takimi vendimtar u shty për sot. Megjithatë, gjatë ditës, negociatat u ftohën papritur për shkak të shortit të Champions League, që vuri përballë pikërisht Milanin dhe Feyenoordin.
Rreth mesnatës, gjithçka u rikthye në vijën e duhur; Milani është shumë pranë Santiago Gimenez. Ka pasur një përshpejtim të papritur në negociata dhe marrëveshja është pothuajse arritur për shifrën e 32 milionë eurove, plus bonuse.
Sulmuesi meksikan do të bëhet së shpejti pjesë e Milanit, duke marrë vendin e Alvaro Moratës, i cili do të transferohet te Galatasaray në formë huazimi për 18 muaj, me detyrim blerjeje. Shifra totale e operacionit për spanjollin pritet të jetë rreth 10 milionë euro.
Përveç Moratës, ka pasur zëra për largime të tjera, përfshirë Tomorin, Pavloviç dhe Calabrian. Mbrojtësi serb është i vetmi që me siguri do të qëndrojë te Milani, ndërsa Tomori dhe Calabria pritet të japin së shpejti përgjigjen e tyre.
Tottenham ka bërë një ofertë afër 30 milionë eurove për Tomorin, ndërsa Calabria mund të përfundojë te Bologna, e cila është e gatshme të paguajë një shumë si kompensim përpara përfundimit të kontratës së tij.
Duke marrë parasysh këto largime, Milani po punon për dy blerje të tjera: një mbrojtës qendror (me Goglichidzen e Empolit dhe De Winterin e Genoas në listë) dhe një sulmues të ri. Joao Felix është rikthyer si opsioni kryesor, sidomos pas pranisë së menaxherit të tij, Jorge Mendes, në Milano.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






