Transmetuar më 01-02-2025, 07:56

SHBA- Një avion transporti u rrëzua në Filadelfia të premten rreth 30 sekonda pasi u ngrit, duke dëmtuar disa shtëpi në një kryqëzim të ngarkuar të qytetit. Gjashtë persona ishin në bordin e avionit, tha Administrata Federale e Aviacionit. Rrëzimi i avionit tronditi banorët dhe ndodhi dy ditë pas përplasjes së një helikopteri ushtarak me një avion civil në Uashington.

“Gjithçka që dëgjuam ishte një zhurmë e fortë dhe nuk e dinim nga po vinte. Pas pak pamë shtëllungën e madhe të tymit”, tha Jim Quinn, banor i një lagjeje të qytetit afër zonës ky ndodhi aksidenti.

Shpërthimi ndodhi më pak se 4.8 kilometra nga aeroporti verilindor i Filadelfias, i cili shërben kryesisht për avionët e biznesit dhe fluturimet çarter.

Avioni “Learjet 55” u zhduk nga radarët pak kohë pas ngritjes nga aeroporti në orën 18:06 dhe pasi arriti në një lartësi prej 487 metrash. Avioni po udhëtonte drejt qytetit të Springfildit në Mizuri dhe ishte i regjistruar në pronësi të kompanisë “Med Jets”, sipas faqes së internetit “Flight Aware”, që merret me gjurmimin e fluturimeve.

Përplasja vjen dy ditë pas katastrofës më vdekjeprurëse të aviacionit në vend në pothuajse 25 vjet. Një avion i kompanisë “American Airlines” me 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit u përplas në ajër të mërkurën mbrëma në Uashington me një helikopter të ushtrisë amerikane me tre ushtarë në bord. Nuk kishte asnjë të mbijetuar nga ky aksident.

Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro tha se ai ka ofruar të gjitha "burimet e shtetit për të reaguar ndaj aksidentit në Filadelfia"./ VOA

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit