Transmetuar më 31-01-2025, 22:41

“Byrek, byrek, o usta Murat” është një nga këngët më të famshme që i është dedikuar një kuzhinieri. Historia e tij vjen e rrëfyer për herë të parë në programin “Rudina” në Tv Klan nga mbesa, autorja Nexhi Baushi.

Sipas informacioneve, Murat Lama lindi në Shkup më 3 qershor 1912 ku jetoi derisa u martua. Bashkë me familjen, u vendos në Kavajë dhe nisi të ushtronte zanatin e kuzhinierit ku u shqua për shumëllojshmërinë e gatimeve dhe sigurisht, byrekun. Kënga e dedikuar atij është krijuar nga miku i ngushtë i Muratit, Sulejman Perçemi.

Nexhi Baushi: Sulejman Perçemi ishte një poet popullor i Kavajës dhe duke qenë se në Kavajë vetëm dyqani i usta Muratit ishte një nga dyqanet më të preferuara se ai nuk ishte vetëm kuzhinier, ishte edhe pastiçier, kishte edhe bulmetin, pati punishtet e tij, me pajisjet që kishte marrë nga Italia e perfeksionoi dhe gjithë ëmbëlsirat që bënte , ai i bënte sipas stilit italian, ndërsa kuzhinën e kishte ballkanase dhe me traditë të Shqipërisë. Ai për herë të parë solli asortimentin e byrekut në Kavajë nga Shkupi, meqenëse Shkupi ishte i dëgjuar për bërjen e këtyre byreqeve.

Mbesa e përshkruan usta Muratin si “trupgjatë, mjaft fisnik, me mustaqe”, tipar që spikat edhe në foton që ajo ka sjellë. Sa i përket përputhjes me usta Muratin në këngë dhe kuzhinierin, ka mjaftueshëm detaje që e konfirmojnë. Por kjo këngë fillimisht e vendosi në siklet usta Muratin që u shpërngul në Prizren.

Nexhi Baushi: Dyqani ka qenë në qendër, ashtu siç thotë kënga. Është përbri kinemaja që i thonë ‘sinemaja’ në atë kohë.

Rudina Magjistari: Po selvia? Se aty i thonë selvia dhe ne e lidhim me “Selvinë” e Tiranës.

Nexhi Baushi: Jo, aty ka qenë sahati, ka qenë një selvi dhe ka qenë edhe xhamia.

Rudina Magjistari: Ka pasur një selvi.

Nexhi Baushi: Ka pasur një selvi, por është e prerë. Ky ia nxori këngën, por nga dalja e kësaj kënge, ky ngaqë i vinte zor, ai ishte i punës, punonte nga ora 5 e mëngjesit deri në 10 të darkës dhe mendoi se ‘mos më mburrin mua kështu që më nxjerrin këtë këngën?’ Dhe u nis e shkoi në Prizren.

Në Prizren, kënga ‘e përndoqi’ dhe usta Murati nisi të qeshte kur e dëgjoi. I pyetur për arsyen, ai tregoi se ai ishte personi që i ishte kushtuar kënga dhe e ndieu si detyrim që duhej të rikthehej në Kavajë e nuk u zhvendos më.

Kënga ka pësuar një ndryshim në një frazë pasi nuk është “më e mirë e ëma se e bija”, por “në punë e ëma dhe e bija”. Mbesa ndan edhe disa kujtime me dajën e saj.

Nexhi Baushi: Unë dajën e mbaj mend vetëm me atë grykësen e bardhë dhe përparësen e bardhë të pastër, shumë i dashur, kishte një humor të hollë, kishte një klientelë mjaft të zgjedhur, por edhe populli. Ndihmonte shumë, sidomos në rastet e festave të Pashkëve apo Bajrami, ai falte. Ka hapur edhe një punishte për qumështin që furnizonte gjithë qytetin me qumësht dhe artikuj të tjerë si kosi dhe gjalpi./tvklan.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit