Transmetuar më 31-01-2025, 18:35

SHBA – Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv për dëbimin masiv të emigrantëve të paligjshëm, mes tyre edhe shqiptarë

Rikthimi i Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka sjellë menjëherë një ndryshim të fortë në politikat e emigracionit, duke ndezur debate të ashpra në SHBA dhe në mbarë botën. Një nga veprimet e para të kreut të ri të shtetit ishte nënshkrimi i urdhrit ekzekutiv për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm, i cilësuar si një nga aktet më të rëndësishme të mandatit të tij të ri.

Menjëherë pas betimit, presidenti Trump nisur zbatimin e planit të deportimit, me dhjetëra avionë ushtarakë C-17 që filluan të transportojnë emigrantët drejt vendeve të tyre të origjinës.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra për Emigracionin dhe Zbatimin e Doganave (ICE), në mesin e 1.4 milionë emigrantëve të paligjshëm që kanë marrë urdhra përfundimtarë dëbimi, ndodhen edhe 1.874 shtetas shqiptarë.

Në dokumentin e ICE-së theksohet se këta shtetas shqiptarë figurojnë aktualisht në listën e personave me vendime të ekzekutueshme për largim, çka e rendit Shqipërinë në grupin e vendeve të mesme të prekur nga fushata e gjerë e deportimeve.

Emigrantët e përfshirë në këtë plan i përkasin kombësive të ndryshme, ndërsa autoritetet amerikane theksojnë se prioritet u jepet atyre që kanë shkelur ligjet e emigracionit, kanë hyrë pa dokumente ose janë dënuar për vepra penale.

Ky vendim i administratës Trump ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe disa shtete partnere të SHBA-së, të cilat e konsiderojnë politikën e dëbimeve masive si tepër të ashpër dhe me pasoja të rënda humanitare.

Ndërkohë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka bërë të ditur se operacionet e deportimit do të zgjerohen në javët në vijim, ndërsa pritet që një pjesë e emigrantëve të kthehen në vendet e tyre përmes marrëveshjeve dypalëshe riatdhesimi të nënshkruara më herët nga SHBA.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit