

TIRANE- Policia e kryeqytetit ka shoqëruar babanë dhe xhaxhanë e 15-vjeçarit që mbeti i plagosur në zonën e Fushë Mëzezit, Kashar gjatë mbrëmjes së 30 janarit 2025.
Dyshimet e hetuesve janë për një konflikt të mundshëm brenda familjes, i cili të ketë pasuar në përdorim armësh, por që akoma nuk është sqaruar në mënyrë të plotë. Dëshmia e të miturit është krejt kontradiktore në raport me çfarë ka gjetur grupi hetimor në vendin e ngjarjes.
Sipas 15-vjeçarit, dëshmi e cila është marrë me rezerva nga hetuesit, është qëlluar 4 herë në drejtim të derës kryesore të oborrit të shtëpisë nga një makinë e zezë, e cila sipas tij është larguar menjëherë.
Por, hetuesit, nga këqyrja e vendit të ngjarjes konstatuan 5 vrima plumbash në derë, të cilët janë qëlluar nga brenda oborrit, pasi vrimat e plumbave kanë dinamik dalës jashtë porte dhe jo nga jashtë brenda, duke rrëzuar mundësinë e të shtënave të mundshme nga autorë të jashtëm.
Dyshimet e hetuesve deri tani janë për konflikt mes 2 vëllezërve, debat që mund të ketë degraduar në oborr, deri në përdorim arme.
Edhe i ati i 15-vjeçarit ka dhënë dëshmi kontradiktore, pasi sipas tij kishte dëgjuar të shtëna dhe djalin që erdhi i plagosur. 15-vjeçari, sipas burimeve, nuk ka rrezik për jetën, ndërsa ka marr 3 plumba, 1 në shpatullë dhe 2 në krah.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





