Transmetuar më 31-01-2025, 08:27

"Tani që jam kthyer në shtëpi, dua të përqendrohem plotësisht te futbolli dhe të rigjej qetësinë time. Ju lutem respektoni privatësinë time dhe kohën që më duhet për t’u rikuperuar". Këto janë fjalët e Radja Nainggolan, i cili përmes rrjeteve sociale ka bërë një deklaratë të gjatë pas arrestimit të tij në Belgjikë me akuzën e pastrimit të parave.

Ish-mesfushori i Romës dhe Interit u arrestua dhe u mor në pyetje nga autoritetet për lidhjet e tij të supozuara me një organizatë kriminale. Megjithatë, Nainggolan ka mohuar çdo përfshirje dhe është liruar pas disa orësh me detyrimin për të qëndruar në territorin belg.

Në mes të kësaj situate të ndërlikuar, lojtari me origjinë indoneziane ka kërkuar privatësi për të sqaruar më mirë pozicionin e tij: "Përshëndetje të gjithëve. Mund ta imagjinoni se ditët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të vështira.

Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që më kanë mbështetur. Mbështetja e ngrohtë e familjes dhe miqve të mi, së bashku me besnikërinë dhe besimin e KSC Lokeren-Temse, tifozëve të tij të jashtëzakonshëm dhe shokëve të skuadrës, më japin forcën për të ecur përpara.

Dua të shpreh mirënjohjen time edhe për avokatët e mi, veçanërisht z.Mounir Souidi, për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre të palodhur. Vlerësoj thellësisht mbështetjen e tyre. Për momentin nuk më lejohet dhe nuk do të jap asnjë intervistë mbi këtë çështje.

Edhe një herë, faleminderit për të gjithë mbështetjen tuaj. Kjo ka më shumë rëndësi për mua sesa mund ta shpreh me fjalë dhe nuk do ta harroj kurrë".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit