

Arrigo Sacchi, ish-trajneri legjendar i Milanit, ka analizuar momentin aktual të skuadrave italiane në Champions League. “Profesori” ka dhënë mendimin e tij mbi shanset e Interit për ta fituar trofeun më të madh europian të klubeve:
“Vetëm një skuadër e jona mes tetë të parave, Interi. Tri të tjera në “play off”; Milani, Atalanta, Juventusi. Dhe një e eliminuar; Bologna. Objektivisht, nga skuadrat italiane pritej më shumë, veçanërisht nga Milani dhe Juventusi. Kuqezinjtë humbën në Zagreb kundër një kundërshtari më inferior nga ana teknike, ndërsa bardhezinjtë u fishkëllyen nga tifozët e tyre pas humbjes në shtëpi kundër Benfikës.
Është e vërtetë që të dyja skuadrat kanë ende mundësinë për të avancuar, duke fituar ‘play off’-in, por për ta arritur këtë duhet të zgjohen dhe të mos bëjnë më gabime aq të rënda, sa edhe banale, si ato që u panë në ndeshjet e fundit. Juventusi dhe Milan duhet të zgjohen. Nuk po shoh tek ato mentalitetin dhe entuziazmin e duhur për të garuar në nivelet më të larta".
Sipas tij, të dyja skuadrat kanë potencial, por duhet të përmirësojnë lojën dhe të tregojnë më shumë vendosmëri në fazën e eliminatoreve. Nga ana tjetër, ai sheh një Inter të fortë dhe të gatshëm për të sfiduar më të mirët në Europë:
"Interi është një ekip i strukturuar mirë, me organizim dhe disiplinë taktike. Ka lojtarë të cilët dinë ta menaxhojnë presionin dhe janë të aftë të luajnë si grup i bashkuar. Nëse vazhdojnë kështu, zikaltrit mund të jenë ndër pretendentët kryesorë për ta fituar Champions League".
Sacchi ka theksuar se skuadrat italiane duhet të jenë më të guximshme dhe të dalin nga qasja tepër mbrojtëse: "Në Europë, kush sulmon dhe kontrollon ndeshjen ka më shumë mundësi suksesi. Juventusi dhe Milani duhet të ndjekin këtë shembull dhe të mos mbështeten vetëm te mbrojtja".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





