Transmetuar më 30-01-2025, 08:53

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë një përditësim të situatës në Durrës, pas reshjeve të dendura të shiut.

Përmes një njoftimi, ministria sqaron se Grupet e punës janë në terren për identifikimin, vlerësimin dhe raportimin e saktë të dëmeve.

Prani të ujit ka në një numër të konsiderueshëm banesash dhe ambientesh publike, teksa është bërë evakuimi i disa familjeve.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes

Informacion mbi situatën e krijuar nga reshjet në qarkun e Durrësit

Gjatë gjithë natës dhe sot, vazhdon puna nga forcat në terren për largimin e ujit nga zonat e prekura nga reshjet intensive të shiut, në një pjesë të bashkisë së Durrësit. Problematika më të theksuara kanë rrugët dytësore në zonën e Durrësit të Ri, Shkozetit, Gjykata e Apelit, pjesërisht Zona e Plazhit.

· Ka prani të ujit në një numër të konsiderueshëm banesash dhe ambientet publike.

· Eshtë bërë evakuimi i disa familjeve, të cilat janë akomoduar te Kavalishenca.

· Sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë llogaritet në rreth 40 Ha.

· Ka një rritje të lehtë të niveleve të lumenjve Ishëm dhe Erzen, por pa rrezik për daljen nga shtrati.

· Hidrovorët në Hamallaj dhe Porto Romano vijojnë punën me kapacitet të plotë

· Në terren janë të angazhuara forca nga MZSH, Autoriteti Portual, Bordi i Kullimit, ndërmarrjet e punëve publike të bashkisë.

· Në mbështetje të forcave në terren janë angazhuar 2 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe 3 kamionë të kalueshmërisë së lartë nga Forcat e Armatosura.

· Gjatë natës kapacitetet nga FA u përforcuan edhe me 2 pompa të vogla nga batalioni i mbështetjes Poshnjë, të cilat janë duke punuar për largimin e ujit te IEPV Durrës.

Grupet e punës janë në terren për identifikimin, vlerësimin dhe raportimin e saktë të dëmeve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit