

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi sot takim kortezie, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me Ambasadorin e Republikës Federative të Brazilit João Tabajara De Oliveira Júnior dhe me Zëvendësambasadorin, Ministër Këshilltar, Ricardo Primo Portugal.
Proda dhe Ambasadori konfirmuan gatishmërinë e plotë të organizatave që ata përfaqësojnë, për të intensifikuar bashkëpunimin, në koordinimin e INTERPOL dhe EUROPOL, me qëllim goditjen e rrjeteve të trafiqeve dhe krimeve të tjera ndërkombëtare.
Gjithashtu, Proda dhe Ambasadori çmuan bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet agjencive ligjzbatuese të të dyja vendeve, i cili ka rezultuar me konstatimin dhe goditjen e një sërë rastesh të trafikimit të vajzave dhe grave, nga Brazili, me qëllim ushtrimin e prostitucionit në Shqipëri.
Më tej, u dakordësua që ky bashkëpunim të mos kufizohej vetëm në aspekte të punës policore, por të shtrihej edhe te ofrimi i trajnimeve për punonjësit e sektorëve që merren me hetimin e krimeve, shkëmbimi i metodave dhe eksperiencave më të mira policore, si dhe te asistenca teknologjike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





