

Gjithçka ose asgjë. Kjo është “mantra” që do të përsërisë Manchester City deri sonte në mbrëmje, me shpresën për t’u kualifikuar në fazën e mëtejshme të Champions League. Aktualisht, siç mund të vëreni në klasifikim, Manchester City është jashtë fazës e grupit dhe ka rrezik të eliminohet herët. Për t’u qetësuar, duhet patjetër të fitojë sonte ndaj Brugge.
Gjatë konferencës për shtyp, Pep Guardiola dha disa përditësime mbi skuadrën: "Situata është e thjeshtë: duhet të fitojmë ndeshjen, përndryshe nuk do të vazhdojmë më në këtë kompeticion. Ne duam të kemi mundësinë të luajmë edhe dy ndeshje të tjera në ‘play off’ për t’u kualifikuar në fazat e mëtejshme. Nuk është problem, por një mundësi, sfidë që do ta përballojmë".
Marmoush, Vitor Reis dhe Khusanov nuk janë të gatshëm për të luajtur për arsye të lidhura me listën e lojtarëve të UEFA-s, që duhet të shpallet më herët. Për Brugge, trajneri spanjoll shtoi: "Pres një kundërshtar të fortë.
Kur një skuadër është e pamposhtur për 20 ndeshje, do të thotë që është e fortë. Nuk ka sekrete për këtë. I kam parë ndeshjet e tyre dhe kam kuptuar pse mundën Aston Villa, Juventusin, Milanin. Ata kanë luajtur shumë mirë, madje edhe në Glasgow kundër Celtic. Belgët meritojnë respekt".
Për stilin e lojës së Brugge: "Kanë disa variante në mënyrën e ndërtimit të lojës dhe sistemin e mbulimit të lojtarëve. Brugge është gjithmonë i vështirë për t’u përballuar. Duhet ta lexojmë mirë lojën dhe të reagojmë si duhet. Sidoqoftë, çdo skuadër, përfshirë Manchester City, ka dobësi. Ne duhet t’i gjejmë pikat e dobëta të kundërshtarit dhe ta ndëshkojmë".
Me këto fjalë, Guardiola ka lënë të kuptohet se skuadra e tij është e përgatitur për këtë ndeshje vendimtare, duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e fitimit të tri pikëve për të vazhduar rrugëtimin në Champions League.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





