Magazinë
Transmetuar më 28-01-2025, 22:05

KOSOVË – Një laborator i sofistikuar për falsifikimin e dokumentave është zbuluar nga autoritetet në Prishtinë, dhe si pasojë ka rënë në pranga një person. Mësohet se të arrestuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi në shtëpinë e tij, policia ka zbuluar një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë. Në mesin e materialeve të konfiskuara janë edhe mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se i arrestuari është ndaluar më 24 janar 2025 teksa ishte duke udhëtuar me automjet në Prishtinë, dhe nga kontrolli janë gjetur dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës. Më pas gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur laboratori për falsifikimin e dokumentave.

“Shoferi me inicialet (F.K.) u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Pas hetimeve intensive, u zbulua një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim gjithashtu thuhet se “gjatë bastisjes u sekuestruan dëshmi relevante, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës".

Ky rast po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar” nga Prokuroria Speciale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit