

Kapet në Durrës dhe arrestohet për t’u ekstraduar në Itali, pjesëtari i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve.
‘Si rezultat i aksioneve intensive të Policisë, të kryera me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Sektori i Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Latitant”.
Gjatë operacionit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Erjon Meshi alias Arjon Mema 32 vjeç.
Gjykata e Trentos i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë "Arrest me burg", për veprat penale “Mbajtje e paligjshme, shitje, prodhim, shpërndarje dhe trafikim i lëndëve narkotike" dhe "Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike", parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali’, njofton policia.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





