

Frikë dhe ankth mes emigrantëve pa dokumenta në SHBA, teksa administrata e Trump ka nisur arrestimet dhe deportimet masive.
Emigrantët po shënjestrohen në vendet e punës, në banesa madje në një rast edhe brenda një Kishe, çka ka shkaktuar panik në komunitete. Raportohet se ka persona që nuk po paraqiten në punë, ndërkohë që fëmijët e tyre janë të friksuar dhe nuk shkojnë në shkollë.
Në periferi të Atlantës, në Lilburn, agjentët e ICE arrestuan Walter Valladares, një emigrant të parregullt 53-vjeçar nga Hondurasi, sipas anëtarëve të familjes që folën me CNN.
Përveç një gjobe për drejtim mjeti pa patentë, për të cilën ai kishte paguar një gjobë, Walter Valladares nuk kishte asnjë rekord kriminal, tha vëllai i tij Edwin Valladares për CNN. Ai punonte në ndërtim dhe jetonte në Lilburn me gruan dhe katër fëmijët e tij, shtoi Edwin.
Në Tucker, një tjetër periferi e Atlantës, një burrë pa dokumenta, u arrestua gjatë kohës që ishte në kishë, tha pastori Luis Ortiz për CNN. Ai tha se ishte në mes të predikimit kur vuri re disa anëtarë të kishës që e shoqëruan burrin jashtë.
Ortiz tha se besimtarë të tjerë i treguan se agjentët nuk kishin hyrë në kishën e vogël, e cila ndodhet pas një qendre tregtare, por kishin kërkuar burrin me emër.
Të dielën në mbrëmje, zyrtarë federalë thanë se përpjekjet për zbatim ishin zgjeruar deri në Hawai, ku agjentët amerikanë kundër drogës dhe ekipet e ICE kryen arrestime të emigrantëve në Honolulu.
Rreth 50 individë të parregullt u arrestuan gjatë një bastisjeje të dielën në mëngjes që synonte trafikantët e drogës dhe anëtarët e bandës venezueliane në Kolorado, sipas Administratës për Luftën kundër Drogës (DEA).
Në një rast, vajza e një burri 44 vjeçar në Chicago, deklaroi mes lotësh se ICE ka ndaluar babain e saj, i cili ka 30 vite që jeton në SHBA.
Administrata Trump nisi të dielën një operacion masiv për zbatimin e ligjeve të imigracionit në të gjithë vendin, që përfshiu disa agjenci federale dhe rezultoi në arrestimin e afro 1,000 personave, sipas Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Të dielën, agjentëve të ICE iu bashkuan zyrtarë nga disa agjenci të Departamentit të Drejtësisë, ndërsa synuan ato që i cilësuan si kërcënime për sigurinë publike dhe atë kombëtare. Operacioni pritet të vazhdojë gjatë kësaj jave.
"Komisioneri për kufirin" i Shtëpisë së Bardhë, Tom Homan, e quajti aksionin e së dielës në Çikago “një ditë të mirë” dhe një “pikë kthese” gjatë një interviste për CNN.
“Presidenti Trump ka përfshirë të gjithë qeverinë në këtë çështje,” tha ai. Të dielën, ICE bashkëpunoi me agjenci si FBI, Administrata e Luftës kundër Drogës (DEA), Byroja për Alkoolin, Duhanin, Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët (ATF) dhe Shërbimi i Marashalëve të Shteteve të Bashkuara.
“Të dielën, kishim të gjithë qeverinë në veprim për të adresuar kërcënimet ndaj sigurisë publike dhe kombëtare në Çikago,” deklaroi Homan.
Në shkallë kombëtare, 956 persona u arrestuan dhe “554 urdhër-arreste u lëshuan” të dielën, tha ICE në një postim në X, duke shënuar numrin më të lartë që kur agjencia nisi raportimin në këtë platformë.
Përveç “operacioneve të përforcuara të synuara” të njoftuara nga ICE në Çikago, veprime për zbatimin e ligjeve të imigracionit u raportuan gjithashtu në zonën e Atlantës; Puerto Riko; Kolorado; Los Anxhelos; dhe Austin, Teksas.
Kryetari i Bashkisë së Çikagos, Brandon Johnson, tha se policia e qytetit nuk ishte përfshirë në operacion, duke shtuar se ekipi i tij po punonte ngushtë me zyrtarët e qytetit. Ai i nxiti banorët të “njohin të drejtat e tyre kushtetuese.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd