

Sapo ka nisur në Gjykatën e Tiranës seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Eduart Lamit.
Zyrtarisht Lami akuzohet për armëmbajtje pa leje, por policia e dyshon për vrasjen e Lulzim Vishës.
Nga ana e saj Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg.
Arrestimi i Lamit
Eduart Lami është ndaluar gjatë kontrolleve në zonën e Kamzës për akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa është shpallur në kërkim kushëriri i tij, Ervis Lami.
Gjithashtu, dyshohen si të përfshirë në atentatin ndaj 48-vjeçarit Lulzim Visha, ndaj të cilit u qëllua me të pakten 12 plumba teksa ndodhej në automjetin e punës.
Ndërkohë hetimet e policisë janë përqëndruar në një konflikt që viktima dhe vëllai i tij kanë pasur kohët e fundit.
Zbulimi i dy kushërinjve
Blutë kanë kryer kontrolle në banesën në rrugën Paqësore, Zall Mner, gjatë hetimeve për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, Lulzim Visha.
Mësohet se gjatë kontrolleve u gjetën një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e shtëpisë janë gjetur 4 gëzhoja armë.
“Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale”, informojnë blutë.
Raportohet se banesa ku u gjetën sendet e kundraligjshme është në posedim të Ervis Lamit dhe përdorej nga 31-vjeçari, si edhe kushëriri i tij, Eduart Lami.
Në pranga u vendos 37-vjeçari, banues në Kamëz, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.
Ndërsa u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e Ervis Lamit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





