

Nëna e Leo Sadikut, 12-vjeçarit që ndërroi jetë në QSUT në datën 8 janar, në një intervistë për News24, ka akuzuar mjekët që patën në dorë djalin e saj për neglizhencë, duke i atribuar kësaj pasojat që çuan në vdekjen e të birit.
Në një gjendje shumë të vështirë emocionale, Roveta Sadiku tregon se e dërguan djalin në Spitalin e Korçës për herë të parë më 28 dhjetor, ku pas marrjes së mjekimit, mjekët e dërguan atë në shtëpi.
Më 29 dhjetor, pasi gjendja e djalit nuk përmirësohej, ata shkuan përsëri në spital, ku pas disa vizitave, djali u shtrua.
Sipas nënës, Leo kishte dhimbje të vazhdueshme barku, diarre, dhe të vjella.
Roveta përgënjeshtron informacionin që Spitali i Korçës dha, duke thënë se ata e kishin nxjerrë djalin nga spitali më 31 dhjetor, duke akuzuar mjekët për trajtim të pamjaftueshëm dhe për këtë, ajo kërkon drejtësi.
Mjekët, sipas nënës së Leos, e kishin qetësuar familjen duke thënë se sëmundja do të bënte procesin e saj, duke e lënë të vazhdonte me dhimbje barku, temperaturë, kollë dhe diarre nga data 1 deri më 6 janar, të cilat u trajtuan si normale.
Në datën 7 janar, në orën 4:30 të mëngjesit, gjendja e djalit u përkeqësua, dhe familja e çoi në Spitalin e Korçës. Pas kësaj, ata e nisën për në Tiranë, në QSUT.
Sipas nënës, për 7 orë në pavionin e endokrinologjisë, djali nuk mori asnjë trajtim të veçantë, përveç serumesh.
Në lidhje me deklaratën e QSUT, e cila thotë se Leo Sadiku mori të gjitha shërbimet e nevojshme, Roveta ngre një pyetje: “A i kanë bërë eko të zemrës djalit tim, një prej ekzaminimeve të nevojshme për diagnostikimin e miokarditit akut?”
Ajo gjithashtu tregon se policia dhe prokuroria nuk kanë bërë asgjë deri më tani për të zbardhur vdekjen e djalit të saj, duke kërkuar që rastet e tilla të hetohen dhe të marrin drejtimin që meritojnë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd