

Sergio Conceição buzëqeshi lehtë pas fitores së Milanit kundër Girona: “Djemtë bënë një punë të mirë, por ende nuk ka përfunduar, mungon edhe një ndeshje. Ka gjëra që shkojnë mirë, të tjerat më pak.
Duhet të vazhdojmë të punojmë. Sigurisht, rezultati ishte gjëja më e rëndësishme sonte. Kemi pasur shumë raste në pjesën e parë, në tërësi ishim superiorë. Në pjesën e dytë kishim pak frikë nga barazimi.
Leao? Sonte shënoi një gol të bukur, po i kërkoj të bëjë edhe gjëra të tjera pa top. Ai e pranon dhe nga kjo pikëpamje është një shembull. Ndryshimi që po kërkoj nuk është i lehtë, të gjithë duhet të mendojnë dhe veprojnë në të njëjtën mënyrë”.
Për Prime Video foli edhe Rafa Leao pas përfundimit të ndeshjes: “Është një kënaqësi të luash me këtë fanellë, në një mbrëmje si kjo. Ishte një fitore e rëndësishme, jam i lumtur. Qëllimi ynë është të ecim përpara, këtu mjedisi është shumë i bashkuar.
Po përpiqemi të kuptojmë çfarë kërkon trajneri i ri. Është ndryshe nga Fonseca, u afrua menjëherë me mua dhe nuk më lë të dorëzohem asnjë moment. Ka folur shumë me mua, po përpiqet të më ndihmojë si njeri dhe si lojtar. Unë përpiqem të ndihmoj skuadrën dhe të jap 100%.
Gjithmonë përpiqem të jap maksimumin, ndonjëherë nuk ia dal, sepse jemi njerëz. Sigurisht që sonte shkoi mirë, por ishte meritë e të gjithëve”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





