

“Ka përfunduar periudha pa gola, por unë përpiqem t’i vlerësoj paraqitjet në 360 gradë. Punoj çdo ditë për ekipin dhe bashkëlojtarët, pastaj kur vjen goli, ajo paraqitje është më e plotë”. Kështu u shpreh Lautaro Martinez, i cili i dhuroi Interit fitoren në fushën e Sparta Pragës.
“Sonte kthehem në shtëpi i lumtur, sepse goli im vlejti tri pikë thelbësore, – shtoi argjentinasi për “Sky Sport”, i zgjedhur MVP i ndeshjes. – Rekordi më bën të lumtur, ia dedikoj të gjithë familjes sime që po e shihte ndeshjen së bashku”.
Kapiteni zikaltër realizoi golin e tij të 14-të në Champions League, duke barazuar Adrianon si golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave të Interit në këtë kompeticion: “Jam krenar, e keqja është lënë pas krahëve. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për rrugëtimin tonë në Champions.
Tani për 1/8-at mungon edhe një hap i vogël në ‘San Siro’ kundër Monaco. A na mungon pak ashpërsia? Ky është një aspekt që duhet ta përmirësojmë, kemi lënë pikë gjatë rrugës dhe sonte mund të ishte një nga ato ndeshje”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





