Transmetuar më 23-01-2025, 11:31

Luajti 71 minuta ndaj Sparta Prague, ku startoi si titullar, në ndeshjen e shtatë të fazës së grupit të Champions League dhe mori vlerësime maksimale nga trajneri Simone Inzaghi për paraqitjen.

Mesfushori i kombëtares sonë kuqezi, Kristjan Asllani, foli për mediat zyrtare të klubit zikaltër, duke treguar emocionet e kësaj periudhe kur po zëvendëson Calhanoglu e dëmtuar, mes kritikave të mediave italiane dhe mbështetjes së bashkëlojtarëve e trajnerit:

"Duhej ta merrnim fitoren në shtëpi, sepse e dinim që ishte e rëndësishme. Tani na duhet vetëm një pikë për t’u kualifikuar në 1/8 finale. Ndeshja e sotme kërkonte shumë përqendrim, e poseduam shumë topin në pjesën e parë, me kundërshtarin që i mbyllte hapësirat mjaft mirë.

Në këto raste duhet të jesh i vetëdijshëm për kundërsulmet, ne bëmë shumë mirë në këtë aspekt. Jam i lumtur që mund të luaj dhe ta vesh këtë fanellë, jam i përqendruar te çdo ndeshje. Duhet të përgatitemi mirë për transfertën ndaj Lecce në kampionat, sepse do të jetë një ndeshje e vështirë".

Mesfushori kuqezi po luan me vazhdimësi në ndeshjet e fundit, në mungesë të turkut Calhanoglu: "Këto minuta më bëjnë shumë mirë, kam qëndruar gjatë në stol. Jam i lumtur që e vesh këtë fanellë, fokusohem te çdo ndeshje e vetme që luaj”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit