Transmetuar më 23-01-2025, 10:19

Dy persona janë arrestuar nga policia e kryeqytetit pas informacioneve se po transportonin lëndë narkotike.

Kujtim Ukaj 35 vjeç dhe Abdurrahman Rizvani 26 vjeç përfunduan në pranga, ndërsa iu gjetën 60 kilogram lëndë narkotike e paketuar në thasë.

Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe një 28-vjeçar që dyshohet si bashkëpunëtor në ngjarje.

Njoftimi:

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Interruption 2”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. U., 35 vjeç, banues në Krujë dhe A. R., 26 vjeç, banues në Mat.

Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se këta shtetas po transportonin një sasi lënde narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Luz, Fushë Krujë, automjetet me të cilat po qarkullonin këta shtetas.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin K. U., në pjesën e pasme, shërbimet e Policisë kanë gjetur 6 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë. Automjeti tjetër drejtohej nga shtetasi A. R., i cili kontrollonte rrugën dhe njoftonte shtetasin K. U., nëse kishte prezencë të Policisë.

Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi S. D., 28 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 automjetet, 2 celularë dhe një shumë parash.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit