Transmetuar më 22-01-2025, 12:18

Sergio Conceição, trajneri i Milanit, ka dalë në konferencë për shtyp për të prezantuar ndeshjen mes Milanit dhe Girona, që do të luhet sonte prej orës 21:00 në "San Siro". Kjo sfidë është e vlefshme për xhiron e shtatë të fazës së grupit të Champions League.

Për formën më të mirë në Champions se në kampionat: "Të jesh në kompeticionin më të mirë të klubeve në botë është motivim i madh. Skuadrat e mëdha, si Milani, duhet të punojnë çdo vit për të qenë aty. Po punojmë që të jemi pjesë e këtij kompeticioni edhe edicionin tjetër. Të gjithë synojmë ta kthejmë Milanin aty ku e thotë historia e tij. Ndaj Girona është një ndeshje shumë, shumë e rëndësishme".

Përgatitja për Champions, a ndryshon: "Pavarësisht kohës së shkurtër që kemi pasur, i shoh djemtë të përqendruar. Detyra ime si trajner është t’iu imponoj atyre mentalitetin e duhur. Ata po më tregojnë se janë të motivuar çdo ditë, kjo vlen për grupin dhe në nivel individual. Fanellat nuk luajnë, por lojtarët që i veshin ato".

Mungesa e vazhdimësisë për 90 minuta: "Është e vërtetë. Kam folur me grupin dhe skuadra është e vetëdijshme për atë që duhet bërë. Duhet të besojmë në atë që bëjmë në aspektin taktik dhe teknik. Bukuria e futbollit është se gjithmonë ke mundësi t’ia fillosh nga e para dhe të përmirësohesh".

A ka ndodhur ndonjëherë të ketë një ekip kaq pa vazhdimësi: "Po, kam pasur edhe më keq. Pastaj, çdo ndeshje ka historinë e saj, rezultatet janë ato që vlejnë. Pjesa e parë kundër Juves ishte shumë pozitive, por në pjesën e dytë na mungoi diçka. Lojtarët janë të vetëdijshëm për këtë".

Mesazhi për tifozët: "Ajo që thashë për zëvendësimet nuk ishte kritikë, por realitet. Për këtë ndeshje kemi 12-13 lojtarë të ekipit të parë, 3 portierë dhe tre të rinj: Camarda, Zeroli dhe Bartesaghi. Mesazhi im për tifozët është që të jenë me ne. Ata janë shpirti i klubit. Pa ta, Milani nuk ekziston. Kam nevojë për mbështetjen e tyre, sepse jemi në një moment emergjence. Fitoret, barazimet dhe humbjet janë kolektive".

Për Kyle Walker: "Ndeshja ndaj Girona është gjëja më e rëndësishme për mua tani për tani".

Për Abraham dhe Morata: "Nuk fajësoj vetëm portierët ose mbrojtësit për golat e pësuar, ashtu sikurse nuk fajësoj sulmuesit që nuk shënojnë. Futbolli është një proces kolektiv dhe rezultatet janë ato që vlejnë".

Situata e Pavlovic: "Është në dispozicion të ekipit, si gjithmonë. Nuk ka faj që nuk ka luajtur deri tani, por stërvitet mirë. Dëshiron shumë dhe ndonjëherë del nga pozicioni, gjë që nuk më pëlqen. Jam i kënaqur me të përditshmen e tij".

Deri ku mund të arrijë Milani: "Do të bëjmë maksimumin dhe pastaj do të shohim".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit